15 Tetor, 2018 - 7:00 pm
Prej 19 deri më 21 tetor në Prishtinë mbahet Qendra.Multimedia.Theatre.Showcase.2018.
Në këtë ngjarje do të shfaqen katër shfaqjet e fundit të prodhuara nga Qendra Multimedia. Theksi i showcase-it bie tek premiera e shfaqjes “Hipokritët apo Pacienti anglez” në tekst të Jeton Nezirajt e në regji të Blerta Nezirajt e Agon Myftarit. Premiera e shfaqjes jepet në Teatrin ODA të premten më 19 tetor duke filluar prej orës 20:00.
Organizuar nga Qendra MULTIMEDIA, pjesë e këtij showcase janë edhe dy panele diskutimi mbi kulturën e letërsinë si dhe një mbrëmje letrare e muzikore. Në këtë edicion të parë të ftuar janë do të jenë rreth 30 mysafirë ndërkombëtarë të profileve të ndryshme ku përfshihen përzgjedhës festivalesh teatrore e të filmit, kritikë, gazetarë, shkrimtarë e regjisorë teatri.
“Synimi ynë është që ky showcase të jetë i përvitshëm. Ne besojmë që nga edicioni i radhës në vitin 2019, kjo ngjarje të zgjerohet dhe të përfshihen edhe shfaqje të tjera të realizuara nga teatro e kompani teatrore në Kosovë”, thotë Jeton Neziraj, drejtor i Qendra Multimedia.
Të shtunën në kuadër të këtij organizimi ngjarjeje mbahen dy panele me fokus zhvillimin e kulturës: “Gjeografia kulturore e Ballkanit perëndimor” dhe “Reflektimi i shoqërive evropiane mbi romanet kritike të krimit”.
Panelistë në diskutimin e parë janë Sasha Iliq, Drita Llolla, Petar Andonovski, Ares Shporta dhe Janko Ljumovic, ish-ministër i kulturës në Malin e Zi.
Panelistë në diskutimin e dytë janë Elke Schmitter, Veton Surroi, Jan Kuveler dhe Alida Bremer.
Pas organizimit të paneleve, në Teatrin Kombëtar do të jepet “55 Shades of Gay” duke filluar nga ora 20.00. Pas shfaqjes, poashtu do të organizohet një sesion leximi i shoqëruar me muzikë në Hamam Jazz Bar.
Të dielen më 21 tetor, prej orës 11:00 në Teatrin Dodona shfaqet “Peer Gynti nga Kosova” ndërsa “Një shfaqje me katër aktorë” shfaqet në Teatrin Kombëtar prej orës 16:00.
Po këtë ditë ky showcase përmbyllet me shfaqjen “Le Pont”, e cila është realizuar në Paris dhe e cila do të hapë edicionin e 48-të të Festivalit Ndërkombëtar Teatror që organizohet nga teatri “Adriana Abdullahu” në Ferizaj.
“Ne besojmë se ky showcase i prodhuar në Kosovë është një mënyrë e mirë për të promovuar teatrin e izoluar kosovar në botë dhe një mundësi e mirë për përzgjedhësit e festivaleve, studiuesit, publikun e kritikët e huaj të përcjellin e shijojnë teatrin kosovar dhe trendet teatrore në vendin tonë”, thotë Neziraj.
Kjo ngjarje mbështetet nga: The Olof Palme International Center, Goethe-Institut dhe nga programi Culture for change që financohet dhe menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut.
Për detajet e programit, ju lutem vizitoni: http://qendra.org/qendra-multimedia-theatre-showcase-2018//KultPlus.com