9 Gusht, 2017 - 5:35 pm
Nga fundi i viteve 1970 u shfaqën në ekranin e madh shqiptar një grup aktoresh të reja, të kulturuara dhe të pasionuara që i dhanë ndriçim, risi dhe shkëlqim filmit shqiptar duke tërhequr vëmendjen dhe admirimin e spektatorëve.
Ndër këto aktore bëjnë pjesë: Raimonda Bulku, Eva Alikaj, Elvira Diamandi, Luiza Xhuvani, Anisa Markajan, Matilda Makoci etj. Por Rajmonda Bulku do të binte në sy me bukurinë e natyrshme që aq lehtë i përshtatej cdo roli. Rajmonda do të spikaste që në fillimet e saj në filmin e regjisorëve Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro “Dimri i fundit”.
Nën muzikën e Aleksandër Lalos, vajza me flokët e zeza dhe sytë plot jetë do të mbetej gjatë në kujtesën e publikut që do ta donte atë menjëherë.
Më 1976-tën ajo do të ishte Meli, tek “Zonja nga qyteti” një personazh që vazhdon të jetë më i pëlqyer në ekrane edhe sot. Vajza me fundet e prerë drejt deri tek gjunjët e flokët e gjatë, do të shkëlqente në rolin e vajzës së zonjës Ollga. Rajmonda Bulku vazhdoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në degën e dramës dhe filloi punë si aktore më 1 shtator 1985.
Deri në vitin 1994 ajo interpretoi në rreth 18 role-të shumtën role kryesore- duke u nderuar me disa çmime në festivalet e filmit shqiptar.
Ndër rolet e saj më të njohur në kinematografi janë: Nusja dhe shtetrrethimi/ nusja, 1978/, Duaje emrin tënd/ 1984 -u nderua me Kupën e Festivalit V për rolin e Jonës-/, Të paftuarit/ Diana, 1985/, Dhe vjen një ditë /Klara, 1986/, Vrasje në gjueti/ Lida, 1987/, Muri i gjallë/ Gelina, 1989/, Vitet e pritjes/ Magda-nderuar me Çmim të Parë në Festivalin IX-1990/ Vdekja e kalit/ Meri, 1991/, Nekrologji/ Madhëria e saj, 1994/. Për interpretimin e rolit të Dianës në filmin Të paftuarit u nderua me Medalionin e Festivalit të Shtatë të Filmit Artistik Shqiptar.
Paralelisht ajo ka interpretuar dhe vazhdon të interpretojë shumë role në Teatrin Kombëtar, në Tiranë. Ne vitet 2009-2013 u zgjodh deputete e Partise Demokratike ne Parlamentin shqiptar. Pas politikës ajo I është kthyer sërish pasionit të saj të përhershëm aktrimit, duke e parë në disa role në skenën e Teatrit Kombëtar.