25 Tetor, 2022 - 9:30 pm
Opera dhe Baleti Nacional, paralajmëron për paraqitje të dyfishtë të një prej perlave të artit të baletit, veprën e shquar klasike të baletit “Rajmonda” të Aleksandar Gllazunov që do të shfaqet në skenën e Operës dhe Baletit Nacional më 29 tetor 2022 dhe 01 nëntor 2022 me fillim në orën 20:00. Balet i pakohë që shpreh bukurinë e plotë ta vallëzimit klasik, përcjell KultPlus.
Dirigjente e shfaqjes është Bisera Çadllovska, koreograf është Viktor Jaremenko nga Ukraina. Kostumet e mrekullueshme dhe skenografia spektakulare janë të mysafirëve ukrainas, Gana Ipatieva dhe Andrej Zllobin.
Në rolet kryesore paraqiten: Marija Kiçevska Shokarovska, Mimi Popo Aleksova Atanasovska, Balazh Locei (Hungari), Francisko Himenaz Ruiz (Spanjë), Abdurrahmani: Vasil Çiçiashvili (Gjeorgji).
Marrin pjesë solistë, ansambli i baletit dhe orkestra e Operës dhe Baletit Nacional.
“Rajmonda” është balet në dy akte. Premiera botërore e saj është mbajtur në Teatrin e Marinskit në Sankt Peterburg, në janar të vitit 1898. Libretoja e baletit “Rajmonda” bazohet në dramaturgjinë tipike që e karakterizon kohën e Romantizmit. Në dramat (rrëfimet) e kësaj rryme artistike dominojnë temat për heroizmin, dashurinë, dhuntinë, dinjitetin dhe nderin. / KultPlus.com