3 Korrik, 2018 - 8:58 am
Mbrëmjen e djeshme në një organizim ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama është përuruar “Turbina”, një hapësirë e re për teatrin, artin, kulturën me kushte optimale e teknologji të fjalës së fundit në Tiranë.
“Kjo skenë e re është një infrastrukturë e re për artin që nga cilësia e kushteve fare mirë mund të ishte në Paris, Londër apo Milano”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama tha se kjo godinë do të ketë dy salla, por nuk u ndal gjatë tek përshkrimi i kësaj strehe të re për artin, por tek akuzat që janë bërë nga opozita për projektin e qeverisë për “Rilindjen e Artit”.
“Ky është një rast i mirë për t’i vënë disa pika mbi I, ndërkohë që peripecitë tona për rilindjen e kulturës zhvillohen në një kolonë të çjerrët zanore të disave që paralelisht kanë çelur pajtimin për ardhjen e fundit të botës kulturore”, tha Rama duke iu drejtuar kritikëve për Teatrin Kombëtar dhe rivalëve të tij politikë.
Sipas Ramës kundërshtarët e tij “ngrenë volumin e pajtimit për të zezën që gjeti Teatrin dhe artin”, por nuk duhet mohuar që qeveria i ka bërë disa gjëra në këtë drejtim.
“Disa gjëra që pa ne kurrë nuk do ishin bërë i kemi bërë që çke me të. Duan apo s’duan ata që nuk dinë çka duan. Në 25 vjet u zhdukën nga faqja e këtij dheu mbi 100 trashëgimi kulturore dhe 200 i kemi gjetur në gradën e fundit. 20 operacione shpëtimi po zhvillohen në të gjithë vendin dhe 76 kantiere të tjera janë gati të hapen. Do të donim t’i bënim përnjëherë, por mundësitë tona për shkak të borxheve të mëdhaja që duhet të shlyejmë s’na lejojnë shërimin e menjëhershëm të këtyre plagëve të së shkuarës”, deklaroi Rama.
Përsa i përket çështjes së Teatrit Kombëtar, Rama theksoi se “Shqipëria nuk e pati kurrë një godinë të denjë , sepse aksush përpara nesh nuk diti apo deshi të ndërmarrë një hap të tillë”.
Kreu i ekzekutivit në një farë mënyrë theksoi se nuk pranon kompromise dhe TK do të shembet, pasi për të vendosin të zgjedhurit e popullit dhe urbanistët dhe jo artistët që e cilësojnë si pronë të tyren.
“Një teatër publik nuk është prona private apo prona ekskluzive e aktorëve të momentit, por është mjedis për publikun dhe u takon vendimarrësve dhe specialistëve të fushës që të vendosin. Ndaj debati me aktorët dhe regjisorët është i domosdoshëm si të jetë më e mirë godina, por jo a duhet a s’duhet. Në rastin tonë godina e TK nuk është pjesë e trashëgimisë së njerëzimit”, tha Rama./ KultPlus.com