23 Prill, 2025 - 10:00 pm
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot teatrin e ri të qytetit të Çorovodës.
Rama gjatë vizitës së tij në teatrin e ri ishte i shoqëruar nga Kryetari e Bashkisë së qytetit, Adriatik Mema, i cili tregoi se disa mjedise të brendshme të këtij ish pallati kulture, në vitin ’97 ishin kthyer në magazina, duke e humbur krejtësisht funksionin artistik.
“Vendi që po inspektojmë tani është një nga sallat e Pallatit të Kulturës, i cili ka shërbyer për teatro, për koncerte fëmijësh, ku lëviznin këto estradat e rretheve që vinin jepnin shfaqje. Një nga sallat që nga ‘97 ishte kthyer në një magazinë të rëndomtë. Këtu kemi bërë një punë fantastike që ta shikoni vetë se çfarë pamje ka marrë kjo sallë, dhe aty në hyrje kam disa foto që do të tregojnë si ishte. Këto janë pamjet se si ka qenë sallë. Madje, kjo është shumë modeste për nga ato ça ka pasur brenda, se është marrë në momentin që ia hequr një pjesë. Kjo është ajo çka është sot, një punë shumë e mirë dhe e kompanisë që kontraktuam, janë 250 vende të ulura. Kryesisht do të shërbejë për evente paksa të zgjedhura”, u shpreh ai duke treguar përmes fotove të ekspozuara në hyrje, gjendjen e dikurshme të ndërtesës.
Teatri ka rilindur në godinën e vjetër të ish-Pallatit të Kulturës, si një hapësirë arti bashkëkohore, me një sallë moderne prej 250 vendesh, në funksion të artistëve dhe dashamirësve të artit që do të ndjekin shfaqjet dhe eventet e tjera kulturore./ KultPlus.com