23 Tetor, 2017 - 6:29 pm
Tenori shqiptar Ramë Lahaj ka ardhur me performancën e tij të parë pasi ka humbur një prej njerëzve më të rëndësishëm të jetës, babin e tij.
Lahaj, një muzikant i njohur dhe tanimë një performues i skenave të mëdha të operës nëpër botë, ka performuar prapë krahas Placido Domingos, shkruan KultPlus.
“Tej mase i nderuar dhe i privilegjuar që vetë Maestro më përzgjodhi për të qenë pjesë e ceremonisë së inaugurimit të sallës së koncerteve të Universitetit të Guadalajaras, në Meksikë që do të mbajë emrin ‘Placido Domingo’. Kjo ngjarje ishte e rëndësisë së madhe edhe për vet Maestron.
Edhe pse dhimbja që ndjej është ende e freskët, që nga koha kur të humba ty Babë, unë megjithatë mora forcën tënde, të një burri i cili nuk u dorëzua kurrë para asnjë sfide jetësore dhe dola në këtë skenë për të vazhduar ëndrrën time e që ty të bënte aq krenar, madje më shumë se këdo tjetër.
Këtë koncert që për mua ishte një prej dhuratave më të mira në jetën time profesionale ta kam kushtuar ty, i shtrenjti im!
U prefsh në paqe Babush” –
Kështu ka qenë statusi dhe reagimi i Lahajt sot në rrjetin social pas performancës që ka dhënë krahas emrit të madh e të padiskutueshëm, Placido Domingo. / KultPlus.com