Redi Shtylla, një shqiptar në trupën e famshme të baletit në Francë (VIDEO)

11 Nëntor, 2017 - 7:05 pm

Në trupën e famshme të baletit që drejton Angjelin Preljocaj është edhe një shqiptar. 23-vjeçari Redi Shtylla rrëfen rrugëtimin e tij nga Shqipëria në Francë. Prej 2 vitesh ai është bërë pjesë e akademisë më të njohur të dansit kontenporan, me të cilën interpreton në skenat më të njohura të botës.

“Në fillim nuk dija shumë për Angjelinin. Në Francë është një nga figurat më të mëdha, një nga koreografët më të mëdhenj të Francës dhe më bëri përshtypje mbiemri i tij. Mu duk shqiptar dhe fillova të kërkoja në Google dhe kur kërkova më shumë për historinë e tij pash që ishte me origjinë shqiptare. Aty fillova të interesohesha më shumë për të”, tregon Redi Shtylla.

Së bashku me trupën e baletiti të kompansië Preljocaj, tani ai shkel në skenat në mbarë botën. Fillimi i muajit tetor e solli atë në Tiranë për nisjen e turit të ri të Preljocaj, kohë kur Redi rrëfeu edhe rrugëtimin e tij drejt baletit dhe njohjen me koreografin e madh francez me origjinë shqiptare.

“Isha gjatë një audicioni për t’u bërë pjesë e kompanisë Preljocaj, kur në një moment, kur po bëja ushtrimet ktheva kokën pas dhe pash Angjelinin. Aty shtanga, por vazhdova koreografinë time. Ishte një surprizë. Kisha dëgjuar shumë për të, por kontakt live nuk kisha pasur asnjëherë”, thotë 23-vjeçari.

Por ndonëse shokët e tij kishin në mendje figura të njohura të baletit botëror, Redi e dinte mirë se ai donte të ishte gjithnjë Redi.

“Me atë kulturë që jemi rritur, me atë teknikë baleti rus na vinin nëpër mend balerinët më të famshëm rusë, si Parishnikov, Nurejev dhe të gjithë thoshin ‘unë dua të bëhem si Parishnikov, unë dua të bëhem si Nurejev’. Mua, kur më pyesinin thosha se dua të bëhem si Redi pas 10 vjetësh”, thotë Shtylla.

Për Redin, familja ka qenë forca e tij më e madhe që kur ka nisur e deri në momentin që ka dalë jashtë Shqipërisë, që ishte dhe gjëja më e vështirë për të. “Falë tyre jam këtu ku jam e ky që jam, prej njerëzve që më kanë besuar”, thotë 23-vjeçari. Për momentin Redi po shijon suksesin e tij në skenat anembanë botës e ndërsa është vetëm 23 vjeç, skena të reja e presin. / KultPlus.com

Të ngjajshme