18 Shtator, 2018 - 4:40 pm
Në të njëjtën ditë kur shkolla “Kosova” rihapi dyert për të vegjlit e kryeqytetit, pasi u dogj 15 vjet më parë e u kthye në parking, aktori i shquar dhe ikona e skenës shqiptare, Reshat Arbana, festoi 78-vjetorin e lindjes.
Me urimin për një jetë të gjatë dhe me role të tjera në teatër dhe kinematografi, të afërm, miq, kolegë dashamirës dhe personalitete të jetës publike u mblodhën në një mbrëmje festive, për të nderuar një nga figurat më të mëdha të skenës dhe ekranit shqiptar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i emocionuar dhe tha se puna e aktorit të madh, Reshat Arbana është një shembull frymëzimi për të gjithë.
“Na ka mbledhur një gëzim shumë i madh, ditëlindja e Bacës Reshat. Do doja që sot të ishte një moment që të kujtojmë jetën e një miku shumë të dashur, një njeriu që na ka frymëzuar. Teksa, shihja fëmijët që shkonin në disa nga shkollat tona të reja apo të rikonstruktuara, mendova se ne e kemi vënë bastin tek kjo gjeneratë. Nuk e di çfarë do thotë Baca Reshat, por shqetësimi im dhe i shumë njerëzve që angazhohen publikisht është, kush do e marrë stafetën? Kush do e marrë stafetën në teatër, në kulturë, në politikë? Kush do e marrë stafetën në sipërmarrje dhe në biznes? Besoj se e ardhmja e këtij qyteti dhe e vendit tonë është te ky brez i ri dhe te fëmijët tuaj”, tha Veliaj.
I emocionuar për festën mes miqve dhe kolegëve, aktori Reshat Arbana falenderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe rrëfeu një ‘sekret’ nga jeta e tij. “Asnjëherë nuk i kam festuar përvjeetoret sepse nuk i dua. Më krijojnë emocione shumë të mëdha, por sonte po më duket krejt ndryshe. Për burrin qenka trimëri e madhe të bëhet 78 vjet, e të eci nga 80-ta, por na qenka edhe një mjerim i madh, kur mendon se ku do iki pas këtyre viteve që po kalojmë. Po ishallah në atë dynja, do shkojmë te ai vendi i mirë, jo te ai i keqi atje. Faleminderit shumë, ju jam shumë mirënjohës, jashtëzakonisht faleminderit. Kam emocione shumë, më besoni që kam shumë emocione. Por, ju falenderoj shumë me gjithë zemër dhe j’ua shpërblefsha që të gjithëve në gëzime, në festa nëpër familjet tuaja”, tha aktori i madh.
Festës nuk mund t’i mungonte edhe urimi special plot nota humori i një prej miqve të tij më të mirë, Luftar Pajës, me të cilin kanë udhëtuar së bashku në një karrierë sa të vështirë, aq edhe të bukur e të gjatë. Paja vlerësoi edhe kryebashkiakun Veliaj që krahas punëve të qytetit, nderon dhe vlerëson edhe artistët. “Rrofshi dhe paçi dritë kudo që jeni dhe ngado që vini, ju që organizoni këto gjëra në gjalljen tonë! E mora këtë mikrofonin se nuk më pëlqeu Reshati në një fjalë, që tha nuk e dimë si është atje. Të siguroj unë Reshat, përderisa nuk është kthyer njeri, do jetë mirë. Besoj se shpreh edhe mendimin e Besnik Nallbanit, të Ruzhdi Pulahës, edhe të këtij brezit tonë që jemi moshë e re, me lëkurë të vjetër. E marr me gjithë shpirt (dollinë) për Dinastinë Arbana! Me djem, me vajza, me nipër, me mbesa, çfarë të do zemra! E ngre për këta njerëz që e nderuan Reshatin. Unë iki me gëzim në shtëpi sepse mora pjesë në një moment, ku këta që dirigjojnë Tiranën, edhe Shqipërinë, kujtojnë edhe moshat tona. Faleminderit, qofshi të gëzuar”, theksoi Paja.