“Rikardi” nesër premierë në Teatrin e Shkupit, qasja e pakompromis e Kushtrim Bekteshit ndaj ngjarjes më të errët të dramaturgjisë botërore

11 Prill, 2025 - 12:07 pm

Era Berisha

“Rikardi III”, titullohet shfaqja e cila po frymon guximshëm tash e disa kohë për t’u vënë në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup. Është një heshtje e dëlirë që përshkon dërrasat e teatrit që presin me padurim për tu gjallëruar nga loja e aktorëve dhe këndvështrimi i regjisorit. Kjo heshtje po lihet anash në mënyrë që prania e Rikardit të jetë feneri i dritës së errësirës në skenë. Regjisori Kushtrim Bekteshi vizionin e tij e ka të qartësuar dukshëm. Jehona e fjalëve të Shekspirit do të shungullojë në ajër dhe do rilind sërish shqip. Bekteshi është arkitekti i stuhisë që do krijohet nëpërmjet ambicies, tradhtisë dhe kurorës së brishtë të pushtetit. Me çdo fjalë, shfaqja do të tërheq të kaluarën në të tashmen, shkruan KultPlus.

“Rikard”, është një emër i mbushur me histori. Një monark i shtrembëruar nga qëllimi, i përhumbur nga profecia dhe i shtyrë nga një uri që ne e njohim ende sot. Nuk është rastësi që kjo shfaqje rikthehet tani. Në një epokë të besnikërisë së thyer dhe të tradhtive të pëshpëritura, tregimi i një njeriu që hap me kthetra rrugën e tij drejt fronit flet me urgjencë të përtërirë.

Regjisori Bekteshi nuk ofron përgjigje – vetëm një pasqyrë. Nën shkëlqimin e kurorës së Rikardit, ne mund të kapim një paraqitje të shkurtër të vetvetes. Dhe kështu, me frymë të qëllimshme dhe vendosmëri të qetë, ai sjell historinë, duke e ditur se e kaluara nuk fle me të vërtetë.

Në një intervistë për KultPlus, regjisori Bekteshi ka shpalosur ende më shumë, lidhur me këtë shfaqje dhe procesin deri në premierë që do epet nesër (12 prill).

“Aktualiteti i zhvillimeve dramatike në politikën globale, që ka ndikim indirekt, por edhe direkt në jetët tona. Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë më është ngjallur nevoja që ta interpretoj në skenë tragjedinë monumentale “Rikardi III”. Ajo luftë, ai agresion, e ka ndryshuar botën dhe po vazhdon ta ndryshojë, dhe pasojat po i ndjejmë dhe mendoj se do t’i ndjejmë edhe shumë gjatë. Pushtetet autoritare në rritje në rajon dhe botë janë duke kërcënuar stabilitetin, demokracinë dhe paqen e kontinentit tonë, por edhe të gjithë globit. Pasiguria e ankthi mbizotëron te të gjithë, pothuajse çdo ditë ‘bombardohemi’ me informata e dezinformata për shpërthim të një Lufte të Tretë Botërore, për tragjedi e shkatërrime të përmasave bërthamore, etj”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka ekzistuar nevoja që të shihet në skenë Rikardi III, me qëllimin që shoqëria të reflektojë dhe të bëhet e vetëdijshme për përgjegjësinë kolektive në parandalimin e çdo individi të ngjashëm me këtë personazh që mund të ‘ngjallet’ në realitetin politik dhe me sundimin e tij të rrezikojë lirinë dhe demokracinë.

Regjisori Bekteshi, Shekspirin e konsideron një gjeni pasiqë ai ka trajtuar kompleksitetin e natyrës njerëzore dhe nuk i ka paraqitur personazhet bardhezi, nuk i ka tipizuar. Kështu është trajtuar edhe personazhi i Rikardit në shfaqje, bazuar në vetë veprën e Shekspirit, me të gjitha ngjyrimet emocionale si çdo njeri.

“Rrethanat dhe bullizimi që ka përjetuar Rikardi që në fëmijëri kanë ndikuar në deformimin e karakterit të tij dhe e gjithë kjo ka bërë që qenien e tij si forcë dominante ta udhëheq ligësia, urrejtja dhe hakmarrja ndaj të tjerëve. Sigurisht nuk është aspak hero, mendimet dhe veprimet e tij janë monstruoze, por nuk mund ta kategorizojmë e margjinalizojmë karakterin e tij duke e trajtuar vetëm nga aspekti i së keqes. Rikardi nuk ka lindur kriminel, është krijuar si i tillë me kohë, dhe aty ka përgjegjësi edhe familja, njerëzit që e rrethojnë, shoqëria në përgjithësi. Në rrethana normale, një psikolog apo psikiatër do ta ndihmonte. Problemi më i madh shfaqet kur një njeri i tillë me karakter të deformuar fiton fuqi të madhe politike dhe vjen në pushtet me ndihmën e atyre që shohin përfitim personal nga kjo gjë. Kur një karakter i tillë i udhëhequr nga qëllime shfarosëse fiton pushtet absolut”, shpalos Bekteshi.

Shfaqja Rikardi brenda vetvetes trajton disa tema, por ajo që dominon më së shumti është tema e ardhjes në pushtet përmes intrigës, dhunës dhe manipulimit dhe pasojat që sjell sundimi i një tirani.

Sa i përket estetikës vizuale të prodhimit dhe paraleles mes tradicionales e modernizmit, regjisori Bekteshi ka thënë se në shfaqje do të përdoret videoprojektori, pistoleta, celularë, por jo për hir të ‘modernizimit’ të shfaqjes.

“Unë nuk e di çfarë mund të konsiderohet tradicionale dhe moderne. Nëse vetëm zhvendosja kohore nga renesanca në kohën e sotme apriori quhet moderne, kjo për mua nuk mban. Apo e kundërta, nëse vendoset ngjarja në kohën kur e ka shkruar autori, kjo apriori nuk e bën tradicionale një shfaqje. Bashkëkohore, apo ta quajmë edhe moderne, e bën shfaqjen interpretimi bashkëkohor regjisorial, kur gjendet forma e përshtatshme që një tekst i caktuar të komunikojë natyrshëm me audiencën e sotme, pa marrë parasysh se në çfarë kohe është shkruar ai tekst, apo në çfarë konteksti kohor e hapësinor vendoset ngjarja në shfaqje. Ky është një keqkuptim i madh që po ndodh tani e sa kohë në realitetin tonë teatror: bëji ca adaptime e përshtatje të tekstit, vishi aktorët me kostumet e kohës së sotme, vendos laptop, videoproektor, mikrofona e celularë në skenë dhe hop si me magji na u bëka shfaqja moderne?! Ky për mua është botëkuptim diletant dhe steril në mënyrën e konceptimit të artit teatror. Sigurisht që gjitha elementet identifikuese të kohës së sotme që inkorporohen në artin teatror nuk i përjashtoj e as nuk i paragjykoj, sepse edhe vetë i kam përdorur në shfaqje të ndryshme, por ato elemente duhet të shkrihen natyrshëm me përmbajtjen e veprës dhe të mbështeten në zbërthimin dhe interpretimi regjisorial të asaj vepre, pa ja humbur esencën veprës dhe pa e cenuar rrjedhën e ngjarjes/rrëfimit. Kur shfaqjet realizohen me një recetë të njëjtë vetëm për t’u dukur apriori moderne, aty diçka nuk shkon, aty nuk ka krijimtari, por ka vetëm riciklim”, thotë ai.

Regjisori Bekteshi beson se secila vepër ka specifikat e veta dhe nuk mund të hapen të gjitha veprat dramatike me të njëjtin çelës, përpos nëse u ‘thyhet brava’ dhe dhunshëm e si mish i egër, iu imponohet i ashtuquajturi modernizim.

“Kam parë shfaqje që i kanë përdorur të gjitha pajisjet teknologjike të kohës së sotme dhe kanë qenë aq demode dhe amatore në konceptim e interpretim regjisorial sa të ngjallin neverinë, dhe kam parë shfaqje me interpretim regjisorial shumë bashkëkohorë edhe pse në aspektin vizual i kanë qëndruar besnik kohës së largët kur është shkruar vepra. Tani të kthehem te shfaqja ime “Rikardi III”  – koha dhe hapësira ku e kam vendosur ngjarjen është neutrale, tejet e ngjashme me kohën e sotme, por pa dhënë specifika gjeografike. Dhe po, në shfaqje përdoret videoprojektori, pistoleta, celularë, jo për hir të të ashtuquajturit modernizim, por sepse e kam parë të nevojshëm këtë zhvendosje kohore për shkak të asaj që kam nevojë t’ia them publikut përmes tekstit të Shekspirit, asociacioneve direkte që dua të përçojë shfaqja rreth zhvillimeve historike nga e kaluara e afërt dhe zhvillimeve aktuale në politikën e sotme globale – zhvillime që më shqetësojnë dhe shpesh më krijojnë ankth dhe ndjenjë të pasigurisë. Modelet e ngjashme si Rikardi III kanë ekzistuar në gjitha periudhat historike të njerëzimit, e fatkeqësisht rishfaqen në çdo hapësirë gjeografike kur korruptohet mendimi kritik dhe zëri intelektual, kur ambicia e individëve apo grupacioneve të ndryshme e varros drejtësinë dhe e përkrah të keqen, kur gënjeshtra e dezinformata me vetëdije të plotë servohen si të vërteta nga kanalet e komunikimit me audiencën – e që në ditët e sotme janë të shumta dhe shpesh shërbejnë si mjet për ngritjen në pushtet të autokratëve dhe diktatorëve”, ka thënë Bekteshi.

Regjisori Bekteshi tutje ka treguar se ngjarja në veprën “Rikardi III” është e errët, ndoshta më e errëta në dramaturgjinë botërore, ku pothuajse të gjithë personazhet i kanë duart e përlyera me gjak – shto edhe faktet historike të luftërave qindravjeçare mes dinastisë së Jorkëve dhe Lankastërve para se të lind vetë Shekspiri, ngjarje e personazhe që janë përfshirë në veprën e tij.

“Janë histori të përgjakshme, ku secili personazh ka kryer ose ka bashkëvepruar në ndonjë krim. Duke u bazuar në këtë interpretim të veprës dhe personazheve, rrjedhimisht edhe te toni e muzika kryesisht mbizotëron tingulli i vrazhdë, i ftohtë, gati apokaliptik, ndërsa i gjithë ndriçimi është konceptuar të jetë vetëm me dritë të bardhë projektori apo neoni, pra nuk kemi përdorur asnjë filtër me ngjyrë, me qëllim që t’i rijmë konsekuntë atij realiteti neutral kohor dhe hapësinor që manifestohet në konceptimin e skenografisë dhe kostumeve, si dhe të theksohet atmosfera gri që mbizotëron në shfaqje, ashtu siç zhvillohet edhe vet ngjarja”, shpalos ai.

Sa i përket punës së përzgjedhjes së aktorëve, regjisori Bekteshi ka thënë që varet nga interpretimi regjisorial i veprës dhe vizioni regjisorial për rolet dhe shfaqjen.

“Nuk është një gjë që mund të shpjegohet lehtësisht meqë është një çështje vizioni, fshihet diku në eterin e mendimeve, intuitës, ndjesisë dhe besimit. Jam shumë i kujdesshëm dhe i pakompromis në përzgjedhjen e aktorëve dhe bashkëpunëtorëve të shfaqjes dhe deri më sot asnjëherë nuk jam zhgënjyer nga përzgjedhja që kam bërë. E njëjta vlen edhe për këtë shfaqje”, thotë ai.

Në shfaqje luan një kastë e madhe e aktorëve, gjithsej 18 aktorë, ku në rolin kryesor, atë të Rikardit të Tretë, është Adem Karaga, pastaj është aktori mysafir nga Kosova, Shkumbin Istrefi, si dhe aktorët e tjerë të ansamblit rezident të Teatrit Shqiptar të Shkupit: Teuta Ajdini Jegeni, Vjollca Bekteshi Hamiti,  Amernis Nokshiqi, Abedin Alimi, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili, Dritëro Ame, Fisnik Zeqiri, Mentor Kurti, Genci Mirzo, Rrahim Ramadani, Sara Bajrami, Gentiana Ramadani, Hetem Etemi, Sabina Memishi Asllanaj, dhe studentin e aktrimit Deniz Rrustemi. Skenograf në shfaqje është Betim Zeqiri, kostumografe Samka Ferri dhe kompozitor Trimor Dhomi.

Ajo se çfarë regjisori Bekteshi shpreson që audienca të ndjejë nga kjo histori e shfaqjes Rikardi, është reflektimi për ngjarjen që do e shohin, për përgjegjësinë kolektive në parandalimin e personave të ngjashëm me Rikardin e Tretë që mund të vijnë në pushtet në çdo hapësirë gjeografike ku “vlerat bëhen mall i lirë për treg”. Por ai dëshiron që audienca gjithashtu ta shijojë në tërësi lojën e shkëlqyer të aktorëve dhe elementet e tjera përbërëse të shfaqjes.

Teksa i afrohemi fundit të kësaj interviste, regjisori Bekteshi ka bërë të ditur se shfaqja Rikardi nuk ngreh ndonjë paralele specifike me imazhin apo imitimin e ndonjë lideri politik.

Ngjallen asociacione të kohë paskohshme për ndonjë lider politik nga e kaluara dhe e tashmja, por në asnjë rast paralele të drejtpërdrejtë me imazh apo imitim të ndonjë lideri politik. Nuk jam dhe asnjëherë nuk kam qenë ithtar i pamfleteve politike, e aq më shumë në këtë rast kur kam të bëj me një tragjedi monumentale të Shekspirit ku univerzaliteti i ngjarjes dhe karaktereve do të degradohej në nivel shumë të ulët nëse do të lokalizohej problemi apo interpretimi regjisorial do të banalizohej në formatin e një pamfleti politik”, ka thënë ai.

Para 10 viteve, regjisori Bekteshi as nuk do e kishte menduar ndonjëherë që do e inskenonte Rikardin, por ai beson thellësisht se Shekspiri është i gjithëkohshëm dhe ka vendosur ta interpretojë në këtë kohë sepse pikërisht në këtë kohë i flet më së shumti. Brenda shfaqjes Rikardi, besohet që gjithçka ka qenë sfidë, duke nisur nga vetë ballafaqimi me një vepër monumentale të Shekspirit, aspekti buxhetor i shfaqjes, përzgjedhja e ekipit, procesi i provave, aspektet teknike të shfaqjes, por që këto për regjisorin Bekteshi janë thjesht sfida që harxhojnë shumë energji duke ofruar shumë kënaqësi krijuese brenda ekipit.

Në fund të kësaj interviste, pyetur rreth shfaqjes Emira, e cila ishte paraparë të jepej premierë në Tetarin Kombëtar të Kosovës, por që u anulua për shkak të grevës së trupës rezidente, regjisori Bekteshi ka treguar se shfaqja është pezull dhe do të mbetet ashtu deri në momentin që do të krijohen kushtet për t’iu rikthyer provave.

“Pezull është tani dhe do të mbetet ashtu deri në momentin që krijohen kushtet për t’ju rikthyer provave, por këtë çështje duhet ta zgjidhin zyrtarët e TKK-së. Deri më tani nuk ka ndonjë plan konkret se si do të vazhdohet, kur do të konsolidohet gjithë ekipi i shfaqjes “Emira” dhe kur planifikohet rikthimi në prova dhe dhënia e premierës publike. Është krijuar një vakum i madh kohor nga ndërprerja e provave pesë ditë para premierës, siç e dini për shkak të grevës së Sindikatës së Aktorëve të TKK-së, dhe sigurisht nuk është e lehtë të rikuperohet gjithë ajo punë dhe energji fantastike ekipore që kishim gjatë procesit të punës. Unë jam në pritje, nuk dua të besoj se ajo shfaqje do të ngelet pezull edhe shumë muaj të tjerë. Për mua dhe gjithë ekipin e shfaqjes është një dramë që na ndjek tani e pesë muaj, të gjithë jemi dëmtuar nga ndërprerja e atij procesi, sidomos ne bashkëpunëtorët e jashtëm, që pos dëmit artistik e shpirtëror (që e kanë pësuar njerëzit e përfshirë në realizimin e shfaqjes), kemi pësuar edhe dëm financiar, meqë deri më tani asnjë pagesë nuk na është realizuar për punën që kemi kryer. Shpresoj dhe uroj që shfaqjen do ta japim premierë në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë, ashtu siç ka qenë marrëveshja që në fillim të realizmit të kësaj shfaqjeje.”/ KultPlus.com

Të ngjajshme