20 Janar, 2024 - 2:08 pm
Sezoni i aktiviteteve kulturore ka nisur ne Teatrin “Migjeni”. Drejtori Arian Çuliqi pasqyroi disa nga prioritetet, ku risi është organizimi i festivalit mbarëkombëtar të humori, që për Shkodrën është rikthim pas 30 vitesh.
Pas 30 vitesh në teatrin Migjeni të Shkodrës do të organizohet festivali mbarëkombëtar i humorit. Gjatë një komunikimi me mediat, drejtori i teatrit Arjan Çuliqi tha se aktiviteti do të organizohet në muajin Maj.
“Festivali do të mbahet përgjatë 5 ditëve në muajin Maj. Do të ketë disa grupmosha që do të konkurrojnë në disa zhanre të humorit, si stand up komedi, parodi, skeçe. Do të marrin pjesë aktore nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi përpos qyteteve tona të Shqipërisë”, tha Arjan Çuliqi
Çuliqi shprehet se synon të organizojë për këtë festival një trupë të zgjedhur të ndërthurur mes brezit të vjetër me atë të ri.
“Synimi im është të formohet trupa e varietese me talentet e reja që shumë shpejt do të jenë e ardhmja e humorit në vend”, theksoi drejtori i teatrit.
Ndërsa kalendari i aktiviteteve të teatrit Migjeni për vitin 2024 starton me shfaqjet për fëmijë dhe festivalin e të rinjve./Shqiptarja.com/KultPlus.com