14 Maj, 2024 - 11:11 pm
Në Gjirokastër po rikthehet teatri për fëmijë ndërsa aktorët e vegjël interpretojnë plot dëshirë dhe pasion në skenën artistike. Së fundi ishte Qendra Kulturore e Fëmijëve që solli për artdashësit e vegjël pjesën “Kur gëzon Baba Viti”,e cila u ndoq me interes dhe u duartrokit nga fëmijët dhe prindërit.
Artistët në qytetin e gurtë e vlerësojnë pozitive rikthimin e këtij lloj teatri aq më tepër në shërbim të edukimit dhe argëtimit të fëmijëve.
“Pas shfaqjeve të shumta që kemi dhënë në teatrin “Zihni Sako” për fëmijë kemi vënë re që publiku i vogël është i etur për të parë akoma dhe më shumë shfaqje dhe duke patur parasysh këtë teatri ” Zihni Sako” por jo vetëm edhe Qendra Kulturore e Fëmijëve të qytetif ka vendosur një shfaqje së fundmi me fëmijë për vogëlushët dhe dua të them që ndjesia e imja si artiste kur pashë sallën plot të qytetit dhe të gjithë dashurinë që fëmijët dhanë për aktorët e vegjël ishte shumë emocionuese dhe fantastike”-tha Lejda Çeli, aktore.
Trupa të tilla si interpretuesit e vegjël të Qendrës Kulturore të Fëmijëve shërbejnë si bërthama artistike për transmetimin e traditës aq të pasur që ka teatri i Gjirokastrës tek fëmijët dhe të rinjtë
“Dua të cek pak interesin e fëmijëve të vegjël për të luajtur, për të qenë protagonistë në shfaqje të tilla dhe kjo është akoma dhe më e bukur dhe akoma edhe më emocionuese, teatri ” Zihni Sako” ka përdorur zakonisht të rinj por këtë radhë shfaqja e fundit ishte me fëmijë të vegjël dhe kjo është akoma më e bukur duket sikur po e transmetojmë në breza”-theksoi Çeli.
Programi i aktiviteteve kulturore në qytetin e gurtë tashmë përfshin edhe organizimin e vazhdueshëm të shfaqjeve teatrore nga fëmijët dhe të rinjtë./euronews/ KultPlus.com