14 Tetor, 2020 - 11:00 am
Suada Qorraj
Për një periudhë të gjatë skena e Teatrit Kombëtar kishte qëndruar në heshtje totale. Mbrëmë, kjo heshtje u thye fuqishëm me shfaqjen ‘Rinoqeronti’, sjellur në Skenën e Vogël nga regjisori Gëzim Hasani.
Ulëset e skenës së vogël tashmë ishin mbushur dhe entuziazmi e mallëngjimi i publikut për teatrin vërehej qysh në fillim të shfaqjes. Dritat u ndalën dhe skena mirëpriti aktorët e shfaqjes që për më shumë se një orë mbajtën publikun në emocione të vazhdueshme me performancën e tyre të jashtëzakonshme, shkruan KultPlus.
‘Rinoqeronti’ i bazuar në tekstin e Eugene Ionescos, i cili përfaqëson teatrin e absurdit, erdhi si thirrje për shoqërinë e hutuar në banalitet dhe apati ndaj problemeve esenciale njerëzore që banalizohen deri në absurditet. Personazhet shpalosën thellësisht dilemën e njeriut në raport me të keqen e me padrejtësinë, përmes një gjuhe të fortë që godiste me të vërtetën, shfaqja shpalosi një lloj revolte të shoqërisë.
Si portretizim i një shpirti revolucionar, personazhi Beranzhe u etiketua si njollë e bardhë në këtë mes të errët, ku vlerat humane tashmë ishin të shkatërruara deri në gjendje të pashpresë.
Aktorët e shfaqjes ‘Rinoqeronti’ kishin filluar provat qysh në shkurt, mirëpo si çdo gjë tjetër, edhe provat e kësaj shfaqje kishin ndaluar në mars si pasojë e situatës pandemike, për të filluar përsëri në qershor.
“Provat kanë ecur mirë, mirëpo ishin intensive. Shkurti dhe qershori ka ndjek atë ritmin e zakonshëm të provave, ndërsa nëse flasim për tetorin atëherë ka qenë një proces, dy herë më i shpejtë se zakonisht para se me nxjerrë premierën, dhe kjo padyshim që ishte një përgatitje më e vështirë se në rrethanat tjera që jemi mësuar”, deklaroi Hasani për KultPlus.
Ndërkaq ai po ashtu u shpreh i kënaqur me mënyrën se si publiku e priti këtë shfaqje e cila për t’u shfaqur mbrëmë, kishte kaluar nëpër shumë peripeci.
‘Rinoqeronti’ ngrihej si një aktakuzë e fuqishme ndaj çdo fenomeni negativ në Kosovën e pasluftës. Një individ revolucionar përballë një turme që funksiononte vetëm brenda disa kornizave të krijuara nga po kjo turmë. Ku secili njeri herët a vonë shndërrohej në kafshë, në rinoqeront duke iu nënshtruar kështu turmës.
“Pandemia na krijoi shumë vështirësi, nuk është e lehtë kur një proces ndalet në gjysmë, për mu të paktën është më e vështirë se të filloj një shfaqje krejt të re, por kur je me një ekip të mirë, sigurisht që i arrin të gjitha”, deklaroi për KultPlus Allmir Suhadolli i cili në shfaqje luante një nga rolet kryesore.
Suhadolli ndër të tjera tregoi të ndjehet mjaft mirë me prezencën e publikut, të cilën e konsideronte mëse të nevojshme. Ai ka treguar se është një ndjenjë e mirë që të japësh shfaqjen e parë në teatër pas pandemisë.
“Njerëzit kanë qenë të frikësuar nga kjo situatë, mirëpo kanë qenë përkrahës dhe jam shumë falënderues ndaj tyre. Ndjehem mirë që filluam me shfaqje pas një pauze kaq të gjatë”, potencoi tutje Suhadolli.
‘Rinoqeronti’, ishte revolta që mbrëmë i dha gjallëri teatrit që tash e një kohë dukej si një gjë pamundur. ‘Rinoqeronti’ solli në mendje se të shkosh kundër turmës, mund të mos jetë e lehtë, por nuk është e pamundur. ‘Rinoqeroti’ ngriti sallën, e zgjoi duartrokitjet që nuk pushuan për minuta të tërë, duke sjellur kështu emocion në çdo skutë e tek gjithsecili./ KultPlus.com