24 Korrik, 2019 - 10:25 am
Mëngjesin e sotëm forca të shumta policore kanë rrethuar godinën e Teatrit. Pavarësisht protestave dhe qëndrimit të aktorëve dhe disa qytetarëve, ndodhi ajo që pritej. Në një prononcim të shkurtër për media, regjisori Robert Budina u shpreh se u tërhoq zvarrë nga godina.
“Policia e krimit na tërhoqi zvarrë, na hoqën nga godina. Ne nuk duam që të zbrazet Teatri. Ata e hapën derën, erdhën këtu sikur ne ishim kriminelë. Edi Rama mbaje mend këtë që më ke bërë ti dhe këlyshët e tu. Nuk do t’a harroj”.
Një pjesë e punonjësve të administratës së Teatrit, së bashku me policinë private kanë hyrë në ambientet e brendshme të Teatrit, ku janë duke paketuar materialet, për t’i nxjerrë nga pjesa e pasme e godinës.
Nuk ka munguar edhe një deklaratë e juristit Çlirim Gjata, i cili u shpreh se është kriminale dhuna e përdorur ndaj artistëve. “Të themi është antikushtetues është pak, kanë ardhur 200 policë të të gjitha llojeve dhe të gjitha ngjyrave, e gjitha kjo është bërë për të futur brenda disa punonjës që të paketojnë materialet, dhe t’i hapin rrugës shembjes. Ajo që është më kriminalja është se përdoret dhunë ndaj regjisorit të madh Edmond Budina” tha ai. /KultPlus.com