3 Gusht, 2019 - 10:00 am
Tenori Saimir Pirgu me shfaqjen operistike “La Traviata” në ditët e fundit të muajit korrik u prezantua në amfiteatrin antik Herodio në Athinë ku mori vlerësime prej më të lartave.
Teatri i Operës dhe Baletit ka publikuar materialet për këtë shfaqje dhe shkruan se premiera e këtij produksioni të ri ju besua tenorit shqiptar Saimir Pirgu, për të cilën gazetat më në zë në shtetin grek shprehen me vlerësime.
“Tenori shqiptar Saimir Pirgu mishëroi një Alfredo të ngrohtë, më një interpretim mbresëlënës dhe një këndim bujar, duke dhënë gjithçka në skenë”, shkruan shtypi grek.
Në një intervistë të gjatë për median greke, tenori Saimir Pirgu shprehet se ftesës për interpretimin në amfiteatër nuk i thua dot jo. “Kur të ftojnë për të interpretuar në amfiteatrin antik Herodio, thua direkt po”, pohon tenori.
Gazeta Η ΚΑΘΗΜΕΡΙΝΗ – Επίσημη σελίδα shprehet se solistët me famë ndërkombëtare si Saimir Pirgu ngritën peshë me interpretimin e tyre rreth 4.800 spektatorë, të cilët duartrokitën artistët e shfaqjes për minuta të gjata në këmbë.
“Premiera i është besuar tenorit me famë internacionale Saimir Pirgu, një ndër tenorët më të rëndësishëm, i cili ka interpretuar me një sukses të jashtëzakonshëm në shumë vende të botës si në Paris, Vienë, Veronë, Londer, Berlin, New York, San Francisco, Zurich, Hamburg, Firence”, thuhet në materialin e botuar për shfaqjen, që ishte në amfiteatër në datat 27 dhe 30 korrik.
“La Traviata” është një opera me tre akte e kompozitorit Giuseppe Verdi me libret të Francesco Matia Piave. E bazuar në librin e Alexandre Duma “Zonja me kamelie”. Kjo opera konsiderohet pjesë e trilogjisë popullore të Verdit, së bashku me operën “Il trovatore” dhe “Rigoletto”. Premiera e parë u zhvillua në teatrin “La Fenice” në 6 mars të viti 1853. Ndoshta për shkak të mungesës së interpretëve me nivel të lartë dhe për temën, e cila u konsiderua e zymtë nuk pati suksesin që autori priste. “La Traviata” u rishfaq në 6 maj të vitit 1854 në teatrin “San Benedetto” Venecia, këtë herë në një version të ripunuar dhe me solistë të nivelit të lartë, si Maria Spezia Aldighieri dhe e dirigjuar nga vetë kompozitori. Këtë herë vepra pati suksesin e merituar. Sipas të dhënave të publikuara nga Operabase në 2013, është opera më e shfaqur në botë. / KultPlus.com