9 Dhjetor, 2017 - 7:53 pm
Tenori shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu ka një bagazh të pasur bashkëpunimi me Operën e Cyrihut. Në këtë vazhdë, ai, këtë të dielë, më 10 dhjetor është pjesë e premierës së operës së njohur “Madama Butterfly” të Giacomo Puccinit.
Pirgu në këtë shfaqje, një tragjedi japoneze në dy akte, luan rolin e oficerit të Marinës Amerikane, Benjamin Franklin Pinkerton. Këtë rol, ndër më të shquarit në literaturën e operës botërore, por njëherësh të njohur si rol “antipatik” Pirgu një kohë të gjatë e ka refuzuar. Por së fundi, në inskenimin në Operën e Cyrihut ai e ka sfiduar veten edhe me Pinkertonin. Këtë e ka bërë pasi që regjisori, Ted Huffmann e ka nxjerrë këtë personazh nga koha e tij duke e bërë më të kuptueshëm në kohen tonë. Kështu pak a shumë shprehet Pirgu në një intervistë që gazeta “Tages Anzeiger” e ka realizuar me të, në prag të shfaqjes, me titullin “Tenori i lumtur”.
“Tek e vë dhe e heq kapelen e uniformës së oficerit të marinës amerikane, këngëtari shqiptar rrezaton”, trasnmeton albinfo.ch gazetën zvicerane. Po ashtu ai shkëlqen edhe pastaj, gjatë bisedës në garderobë, tashmë me veshje civile. Dhe ka një arsye të fortë për këtë: karriera e tij po ecën mirë, madje shumë mirë. Publiku e do atë dhe ai e do profesionin e tij. Një ëndërr është bërë realitet. “Natyrisht ka edhe vështirësi, por ku nuk ka të tilla”, thotë tenori. Rëndësi ka që e mira mbizotëron…”.
Ëndrra e Saimirit ka filluar kur ai kishte vetëm 13 vjet, kur po shikonte në televizionin italian koncertet e famshme me “Tre Tenorët” (Pavarotti, Domingio dhe Careras), përcjell albinfo.ch. Atëbotë Pirgu kishte filluar t`i imitonte ariet e tenorëve të përmendur ndërsa vetëm dhjetë vite më vonë ai po qëndronte tashmë në skenë përkrah njërit nga tre tenorët, me Placido Domingon, në operën “Metropolitan” të Nju Jorkut.
Ky është treguesi i përparimit të shpejtë dhe ngjitjes së djaloshit të rritur në kushte modeste në Elbasan, drejt majave të suksesit në muzikë. Sot, kur ai është vetëm 36 vjeç, ka arritur pothuaj të gjitha që mund të arrijë një këngëtar opere.
Ai tregon se në fakt takimi me tenorin tjetër, Pavarottin ka qenë akoma më i rëndësishëm për të se këndimi me Domingon në Nju Jork. Pavarottin, Pirgu e ka njohur kur ishte student në Bozen të Tirolit, Jugor, Itali. Ai ishte një perëndi për të. “Diçka më shumë se një zë të tillë vërtet nuk mund ta dëshirosh”, thotë ai. Dhe, ky “Zot”, nga ana e tij, qe interesuar për tenorin e ri të talentuar. Ai i ka dhënë leksione Pirgut përgjatë 5-6 viteve. “E vizitoija rregullisht, ai u ka dhënë të gjitha roleve të mia `gëdhendjen` e fundit”. Dhe po Pavarotti ka qenë ai që ia ka shpjeguar kuptimin e `zërit diellor`, një zë me të cilin tashmë identifikohet vetë Pirgu. Këtë ai e shpjegon me parapëlqimin që ka për rolet pozitive, me të cilat lidhet dhe dashurohet publiku. E Pinkertoni nga “Madama Batterfly” përfundimisht nuk është një rol i tillë, shkruan Albinfo.
Premiera e operës “Madama Butterfly” jepet në Opernhaus të Cyrihut, të dielën, më 10 dhjetor, me fillim në orën 19.