26 Gusht, 2024 - 1:16 pm
Edicioni i 54 i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, do të fillojë me 1 shtator dhe do të përfundojë me datë 6 shtator.
Nga festivali kanë njoftuar se ky edicion ka përzgjedhur produksionet teatrore ndër më të suksesshmet shqiptare të ketij viti.
Më datë 1 shtator do të hapet festivali nga ora 19:30 dhe pastaj do të jepet shfaqja “Mishi i egër” duke filluar nga ora 20:00. Në ditën e dytë të festivalit do të mbahet shfaqja “Audienca” dhe “Charles III” duke vazhduar më pas me muzikë, ku në oborrin e teatrit “Adriana”, do të performojë Edona Reshitaj.
Më datë 3 shtator do të bëhet hapja e ekspozitës “Teatri Ilegal” dhe më pas do të mbahet panel diskutimi “Teatri dhe Lufta”. Në ora 20:00 do të jepet shfaqja “Kamarja e turpit” dhe nga ora 21:00, do të ketë muzikë për të pranishmit.
Në ditën e katërt të festivalit, duke filluar nga ora 17:00, do të mbahet panel diskutimi “Modalitetet e mobilitetit të teatrove shqiptare”, kurse në ora 20:00 do të mbahet shfaqja Tartufi, ku më pas do vazhdojë mbrëmja me muzikë për të pranishmit. Më 5 shtator do të mbahet performancë në sheshin e qytetit “Lufta e IV botërore”, pastaj do të jepen shfaqjet “Çifti I hapur” dhe “Turjela”.
Në ditën e fundit të festivalit, më 6 shtator, duke filluar nga ora 18:00, do të mbahet performanca “Lufta e IV botërore” në sheshin e qytetit, në ora 20:00 do të jepet shfaqja “Togeri i Inishmorit” në teatrin Adriana, në ora 21:00 do të ketë performance nga Fiona Rushiti dhe nga ora 21:30 do të bëhet ndarja e çmimeve në Teatrin Adriana./KultPlus.com