10 Mars, 2018 - 2:30 pm
Tashmë kanë filluar përgatitjet për shfaqjen “Komedia që shkon për dreq” me regji të Driada Dervishit, e që premierën do ta ketë në fund të këtij muaji, shkruan KultPlus
“Kur gjërat shkojnë keq. Mos u shqetësoni sepse do të shkojnë edhe më keq”, është motoja e kësaj shfaqje e cila ka bërë së bashku aktorët: Romir Zalla, Olta Daku, Gentian Zenelaj, Lubonja Monika, Sokol Angjeli, Donald Shehu dhe me pjesëmarrjen e veçantë të Bujar Asqeriut.
“Jemi veçanërisht të emocionuar për tri arsye madhore : si fillim, grupi ynë teatror, për herë të parë në historinë e tij, arriti të gjejë një vepër skenike që ka po aq personazhe sa është dhe numri i aktorëve përbërës të këtij grupi ; e dyta, është hera e parë që pas shumë përpjekjesh e mundimesh, arritëm të gjejmë një buxhet të vogël, tejet modest, për të vënë në skenë një dramë misterioze, tronditëse e tejet drithëruese. E treta, por jo më pak e rëndësishme, më në fund gjetëm një sallë teatri për ta shfaqur shfaqjen tonë” është shprehur Romir Zalla për KultPlus.
Asistentë e regjisores është Alessia Xhemalaj, skenografinë e ka bërë Beqo Nanaj, kostumografinë Elva Bella, kurse realizimin e kostumeve Melina Dilo. Lëvizjet skenike Donald Martini, kurse është përkthyer nga Artur Lena. “Komedia që shkon për dreq” do të realizohet më mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkësisë së Tiranës. /KultPlus.com