9 Nëntor, 2020 - 2:47 pm
TeatriiPejës “Istref Begolli”, është një qendër e artistëve profesionist të Pejës, i cili vepron për më tepër se 60 vite në Pejë.
Nga këtu, talentin e aktorit e filluan dhe e përforcuan shuamë aktorë në zë, si: Abdurrahman Shala, Melihate Shabani-Qena, Malo Gami, Kristë Berisha, Ragip Loxha, Nuredin Loxha, Istref Begolli, Faruk Begolli, pastaj, Ahmet Jakupi, Igballe Qena, Asllan Hasaj, Ekrem Taraku, Selami Taraku, Ahmet Spahiu, Afrim Kasapolli, Ekrem Kryeziu e shumë e shumë të tjerë, të cilët, jetës skenike, teatrit, filmit, TV-së dhe përgjithësisht kulturës i dhanë shpirt, për të ecur më pastaj drejt të arriturave kulturore edhe jashtë kufijve të Kosovës.
Paraqitjet jashtë vendit, në nivele të tjera të këtij teatri kanë qenë pjesëmarrjet nëpër aktivitete të ish-Jugosllavisë. Shfaqjet e luajtura merrnin pjesë në festivale amatore të teatrove jugosllave. Ndër to dallohen shfaqjet “Te kulla e Hasim Bajraktarit” dhe “Nita” e Josip Reles , ku u klasifikuan si shfaqjet më të mira në Hvar të Kroacisë, por edhe pas çlirimit, ky teatër është përfaqësuar në vende të ndryshme.
Aver Husaj, drejtor i sektorit të kulturës në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Pejë ka shpjeguar për gjendjen në këtë institucion kulturor.
“Në teatër mungon drejtori i mirëfilltë, por ditët e teatrit janë duke ardhë, edhe pse teatrove është ndaluar të kenë linjë buxhetore të vetën. Si objekt, teatri “Istref Begolli” është një ndër teatrot më të bukura në qytetet e Kosovës”, ka thënë Husaj, i cili ka shpjeguar se brenda këtij institucioni prezantohen deri në tri premiera brenda vitit, ku në mesin e tyre ka edhe ka shfaqje për fëmijë, por edhe shfaqje mysafire, i cili teatrin e ka cilësuar si kulmin e kulturës.
“Një kohë të gjatë s’kemi pasur aktivitete të mirëfillta”, ka thënë ai, duke iu referuar edhe situatës me pandeminë globale, por duke shpresuar se pas kësaj situate, edhe aktivitetet por edhe publiku do të rikthehen në këtë institucion kulturor.
Kurse sa i përket infrastrukturës, ai kë thënë se në këtë objekt mungon zërimi, ndriçimi, dërrasat e skenës nuk janë të një niveli të duhur, ngrohja dhe elemente tjera përcjellëse.
Në trupën rezidente të Teatrit “Istref Begolli” bëjnë pjesë: Agon Bala, Florment Shabaj, Aida Alidemi, Luan Daci, Fitore Broqi, Shpresa Kelmendi, Erodita Ramshaj.
Agon Bala, aktori nga Peja, i cili ka mbi 20 role është njëri ndër anëtaret e trupës teatrale profesioniste të teatrit “Istref Begolli” në qytetin e Pejës.
“Teatri i Pejës është në gjendje stabile, ka trupën teatrale, teatrit të Pejës i mungon vetëm drejtori, ai na duhet patjetër sepse është timoni i cili i udhëheq punët në teatër”, ka thënë ai, i cili ka shpjeguar edhe për repertorin e këtij institucioni.
Ai ka treguar për përvojën e tij si aktor dhe si regjisor në këtë institucion, duke specifikuar përvojën e mirë edhe përgjatë udhëtimeve jashtë shtetit, e sidomos, pjesëmarrja në një festival të Rumanisë.
Diellza Vokshi qytetare nga qyteti i Pejës, mendon se teatrit “Istref Begolli” i mungon edhe marketingu.
“Unë personalisht sa herë ka shfaqje teatrale mundohem të gjejë kohen për të shkuar, por teatrit “Istref Begolli” i mungon edhe marketingu, ka pas raste që e kam kuptuar shumë vonë për shfaqjet dhe kam mbet pa i përcjellë”, ka thënë Vokshi mbi këtë institucion, që pos shfaqjeve të pakta, problemeve me infrastrukturën, sipas saj i mungon edhe një marketing i duhur. Diona Krasniqi./ KultPlus.com