21 Maj, 2019 - 3:53 pm
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës pritet të jepet premiera e shfaqjes ”Sfinga e gjallë”, përcjellë KultPlus.
Me regji të Blerta Nezirajt, drama ”Sfinga e gjallë” e shkrimtarit dhe intelektualit të mirënjohur nga Kosova, Rexhep Qosja, vjen e “ri-vizituar’ dhe e fuzionuar me shkrime e citate goditëse, po të Rexhep Qosjes, por edhe me dokumente e kronika të ndryshme të kohës.
E shkruar në vitet e 70-ta, si një dramë e fuqishme që flet për gjakmarrjen e vëllavrasjet absurde të asaj kohe, “Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë.
Pas përfundimit të luftës disa nga ‘lordët e luftës’ në Kosovë qenë përfshi në një valë të vrasjeve të kundërshtarëve politik – kryesisht zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovë – të cilët paraprakisht etiketoheshin si ‘ ‘bashkëpunëtor të armikut’ e ‘sabotues të luftës çlirimtare’’. Rreth 20 vite nga ajo periudhë, gati asnjë nga këto vrasje nuk është zbardhur. Nuk ka pasur vullnet politik për një gjë të tillë nga asnjëra palë, madje as nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, për më tepër, këto vrasje i ka marketizuar dhe përdorur për qëllimet e veta politike. Edhe komemoracioni publik për të vrarët është shndërruar në një ritual komik. Të gjithë – madje edhe vet vrasësit – ‘vajtojnë’, të gjithë ‘thërrasin për drejtësi’, të gjithë i duan “vrasësit prapa grilave” dhe të gjithë ua njohin “meritat të vrarëve”.
Në sfondin e këtillë të këtij makabriteti politik e shoqëror, viktimat e vetme megjithatë kanë ngelur të vrarit dhe ndoshta familjet e ngushta të tyre.
Kjo shfaqje u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës.
Në shfaqje luajnë aktorët: Fatmir Spahiu, Adrian Morina, Edona Reshitaj, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpejtim Kastrati, Dukagjin Podrimaj.
“Sfinga e gjallë” vjen premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës më datë 27 maj, në ora 21:00.
Skongrafia dhe kostumet: M. Nurullah Tuncer // Kompozitor: Gabriele Marangoni // Koreograf: Gjergj Prevazi // Ass regjisor: Imer Mushkolaj
Skulptor: Burim Berisha // Ass. skenograf: Gent Jetullahu // Inspicient: Bajram Mehmetaj // Dritat: Mursel Bekteshi // Toni: Arben Aliu
Organizator: Beqir Beqiri // Mjeshtër skene: Aziz Maloku // Rrobaqepës: Shemsi Avdiu // Dekoraterë: Rrahman Mehmeti, Hasan Buzaku, Fatmir Avdiu // Rekuiziterë: Xhemail Gllavica e Driton Musliu // Garderoberë: Fahredin Ahmeti e Linda Ahmeti // Grimi: Flori Hasani, Myrvete Tahiri, Fatime Bejiqi Brajshori // Furnizues: Hysen Kuleta. / KultPlus.com