5 Dhjetor, 2018 - 5:00 pm
Në Teatrin AAB “Faruk Begolli” po vazhdon të mbahet edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë. Ky festival i cili shënon edhe festivalin e parë ndërkombëtar të teatrove në Kosovë, publikut për disa net radhazi i ka sjell shfaqje nga vendet e rajonit, si Italia, Shqipëria, Kroacia e Bullgaria, shkruan KultPlus.
Publiku që kishte zënë vend në ulëset e teatrit, mbrëmë ndoqi shfaqjen “Shërbëtoret” të autorit Jean Genet, vepër kjo e cila rreshtohet në mesin e kryeveprave të dramaturgjisë franceze. Mbrëmë erdhi nën regjinë e Kiço Londo, kostumografe Marina Prodani, skenografe Oligerta Mehmetaj.
E gjithë ngjarja u shtjellua në lojën e aktoreve Laura Nezha, Dasara Xhangolli dhe Ilirda Bejleri.
Shfaqja “Shërbëtorët”, e autorit Jean Genet, shtjellon ngjarjet e dy shërbëtoreve Solange dhe Claire, të cilat performojnë rituale sadomasokiste kur zonja e tyre (Madame) nuk është aty si dhe e përbashkëta e tyre është se që të dyja e urrejnë zonjën.
Solange dhe Klari shprazin gjithë urrejtjen, lakimin e dashurinë që kanë për zonjën e tyre. Ato janë dy vajza që jetojnë si shërbëtore të brendshme në një shtëpi bashkëkohore të shtresës së lartë. E përditshmja shtrënguese dhe imponuese, bindja, ndjesia e vazhdueshme e të qenit të mbyllur, marrëdhënia dashurore që zhvillohet ndërmjet tyre gjatë këtyre viteve dhe urrejtja e tyre ndaj pronarëve, krijon një përbërje shpërthyese të çoroditjes seksuale, tërbimit shkatërrues, instiktet vrastare dhe dëshira për rebelim dhe çlirim. Hedhja e tyre e dëshpëruar drejt qiellit, hyn në të njëjtën orbitë me atë të mijëra të rinjve të cilët enden nëpër Metropolet moderne, pa të ardhme dhe shpresë, me rebelimet e heshtura të përditshme dhe trazirat sociale të kohës tonë. Sulmi i Jean Genet kundër çdo gjëje të detyruar takon eksperimentin social, rezistencat molekulare, mendimin dhe veprimin shkatërrues të kohës tonë. / KultPlus.com