Shfaqja “13” premierë në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj

9 Dhjetor, 2024 - 2:50 pm

Më 13 dhjetor nga ora 19:00 në Teatrin e qytetit në Ferizaj, luhet premierë shfaqja “13” me dramatizim dhe regji të Sulejman Rushiti.

“13” është një reflektim i thellë mbi ciklin historik të shqiptarëve, ndërtuar mbi fabulat e shkrimtarëve dhe poetëve që kanë ndikuar në formësimin e identitetit tonë kulturor. Frymëzuar nga Viti i Mbrapshtë i Ismail Kadaresë, Qerthulli Politik i Kristo Floqit, ABC-ja e Kreshnikëve e Mitrush Kutelit dhe poezi të Gjergj Fishtës, shfaqja zhytet në pasigurinë dhe tragjedinë që ka shoqëruar shqiptarët ndër shekuj.

Viti 1913, një moment kyç në historinë tonë, mbetet i ngulitur në kujtesën kolektive si simbol i ndarjes, dështimit, shpresës dhe pasigurisë. Përmes fuqisë simbolike të numrit 13, kjo shfaqje analizon ndërthurrjen mes supersticioneve dhe ngjarjeve historike që kanë përcaktuar fatet e individëve dhe kombit. Me një strukturë dramaturgjike që lëviz mes dramës, tragjedisë, farsës dhe komedisë, “13” pasqyron shumëkuptimësinë e historisë sonë, ku çdo ngjarje – humbje, fitore apo përpjekje – shpesh shfaqet si një përzierje e absurdit dhe shpresës.

Si dramaturg dhe regjisor, qëllimi është të hap një dialog mes të kaluarës dhe të tashmes, për të eksploruar mënyrën se si historia, me dhimbjet dhe triumfet e saj, vazhdon të ndikojë në të ardhmen tonë. Në këtë shfaqje, heronjtë, martirët, trimat, tradhtarët, mitologjia dhe realiteti ndërthurren për të krijuar një pasqyrë të asaj që kemi qenë dhe të asaj që mund të bëhemi. Përmes humorit dhe absurditetit, përpiqemi të përballojmë peshën e historisë dhe ta shohim atë si një mundësi për reflektim dhe ndryshim.

Në shfaqje do të luajnë Ali Krasniqi, Arben Marevci, Blin Mani, Dashuri Rexhepi, Donikë Zeqiri, Dora Xhemajli, Edona Berisha, Elton Tahiri, Jajush Ramadani, Kushtrim Qerimi, Milot Salihu, Nexhat Xhokli dhe Sherif Bega./KultPlus.com

Të ngjajshme