Shfaqja “Bardh” shpërfaqi peshqit e vegjël në Teatrin Kombëtar të Kosovës

15 Shkurt, 2018 - 1:54 pm

Alberina Haxhijaj

Mjafton një pyetje e aktorit Tristan Halilaj. Mjeshtër, a jemi na peshq të vegjël? drejtuar ‘mjeshtrit’ Shpëtim Selmanit, për të nxituar reagimet e këtij të fundit. Mjeshtri është i sigurt se thjeshtë nuk ju kanë ra në dorë ‘letra të forta’ se edhe këta një ditë do të bëhen ‘peshqi të mëdhenj’. “Jena tërheqë, ndoshta dorën tjetër na vijnë letra të mira, mos thuj mo që jena peshq të vegjël”, përgjigjet i zemëruar mjeshtri. Por nxënësi vazhdon: A është e mundshme që kurrë mos me na ra letrat e forta?

Kjo është një pjesë e dramës “Bardh” me regjit të regjisorit të njohur kosovar, Fatos Berisha, e cila u dha mbrëmë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Drama ‘Bardh’ e dramaturgut kroat Dubravko Mihanovic, është një shfaqje e mbushur me dialogë në mes të mjeshtrit dhe ndihmësit të tij që lyejnë me ngjyrë të zezë muret e një banese.

Ata tentojnë të krijojnë një lloj komunikimi, duke filluar bisedën me temat e përgjithshme, futbolli, telashet familjare, për t’u futur ngadalë në përkufizime për hapësirën që i rrethon dhe botën e tyre. Me dialog minimalist dhe jo-pretencioz, kuptojmë rutinën e jetës së tyre, përcjellim një afrim të dy personazheve, një ngjashmëri të tyre duke tentuar të futen në brendësinë e preokupimeve të njëri tjetrit. Duke trajtuar kështu ndoshta të pavetëdijshëm edhe problemet ‘e mëdha’ shoqërore-sociale.
Titujt e artikujve në gazetat të cilat qëndronin të shpërndara në dyshemenë e skenës jehuan në një moment nga aktori Tristan Halilaj. “Thaçi, Haradinaj e Veseli shkelin protokollin shtetëror”, ishte njëri nga titujt. Njëlloj si kjo temë, tema të ndryshme ditore që kanë lënë gjurmë kohëve të fundit në Kosovë mund të dëgjoheshin tutje. Muret lyheshin me të zeza, disa tinguj piano, tema mbi seksin, kush është i forti, ishin disa pjesë të kësaj drame e cila jo çdo kënd e konsideron moler. Nuk mund të jetë moler ai që vetëm një herë lyen banesën e tij, e as infermier ai që i jep hapat nënës së tij çdo mëngjes, profesionet janë një gjë fisnike në këtë shfaqje. Por në qendër ishte mjeshtri i cili mundohej ta ruante ndihmësin e tij. Ai duhet të ketë kujdes në fjalor, edhe pse mjeshtri përdorë zhargon. Derisa është pikërisht ëndrra e tij mbi lopën e bardhë që sjell edhe ndryshimet në shfaqje, ajo torturohet nga të tjerët.

“Mendoj që e kanë pritur mirë shfaqjen, nga reaksionet sa pashë më duket që është perceptuar mirë, dhe ashtu si e kemi planifikuar. Është një tekst ku realisht nga gjysma e dytë e shfaqjes i ndërrohet zhanri. Prej një komedie të zezë pastaj kthehet në një dramë goxha të rëndë dhe pikërisht kthimi në zhanre në një shfaqje është më i vështiri. Kjo ndodh, sepse duhet ta bindësh publikun që ndërrohen zhanret, që publikun ta marrësh me veti”, tregoi për KultPlus regjisori Fatos Berisha.

Drama është një temë sociale, e cila flet për një shtresë të shoqërisë sonë për atë që autori vet e quajti peshqit e vegjël e që janë njerëz nga margjina e kësaj shoqërie. Drama e cila mund të konsiderohet si universale flet shumë edhe për Kosovën dhe shoqërinë e sotme.
“Tentoj me zgjedhë tema me preokupime të miat, sidomos viteve të fundit janë drama sociale. Kjo dramë edhe pse ka autorin kroat po them se korrespondon shumë me ne dhe më shoqërinë tonë, me këta peshqit e vegjël që jemi shumicë këtu e që gjendemi brenda këtyre mureve të cilët ata përpiqen ti ngjyrosin. Ndërsa, shikojnë përtej mureve një jetë tjetër jashtë, një jetë që e udhëheqin peshqit e mëdhenj”, përfundoi regjisori.

Aktori Tristan Halilaj u shpreh se i ka lënë përshtypje teksti që herën e parë kur e ka lexuar.
“Sonte kemi pasur më shumë emocione se ishte edhe premiera dhe pati shumë njerëz. Ne e kemi dhënë shfaqjen këto katër herët e fundit me publik, pwrgjatw provave tw fundit, mirëpo ka pasur publik më pak, kurse sonte kemi pasur publik më shumë. Në disa momente ku nuk e kemi prit kanë reaguar, edhe pak a shumë mendoj që edhe ritmin na e kanë ndryshuar në disa vende mirëpo në përgjithësi mendoj së gjithçka shkoi mirë”, tha ai për KultPlus.

Bota jashtë dritares e cila ua tërheqë gjithnjë vëmendjen dy molerëve i jep dimension tjetër botës së tyre të mureve që ngjyrosin dhe që duan t’i japin kuptim. Duke i bërë këta dy personazh mjaftë të komplikuar, ashtu siç tha edhe aktori Shpëtim Selmani.

“Shpresoj që publiku e ka marrë mesazhin e shfaqjes i cili është shumë njerëzor edhe jemi të kënaqur. Kurse ndërrimi i zhanreve nuk ka qenë edhe shumë e vështirë pasi që kemi punuar intensivisht gjatë këtij muaji. Edhe pse dialogjet janë shumë natyraliste, karakteret janë shumë komplekse, mirëpo kjo është edhe detyra jonë në procesin e analizës ndaj personazheve”, u shpreh për KultPlus aktori Shpëtim Selmani. Reprizat e para të shfaqjes vijnë më 23 dhe 24 shkurt duke filluar nga ora 20:00/ KultPlus.com

Të ngjajshme