Shfaqja “Bëje ose vdis” nga Jeton Neziraj së shpejti premierë në Gjakovë

9 Dhjetor, 2024 - 1:38 pm

Të shtunën, me datë 14 dhjetor, do të shfaqet premiera e shfaqjes “Bëje ose vdis” nga Jeton Neziraj dhe me regjisore Blerta Rrustemi – Neziraj, në teatrin e qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”.

“Bëje ose vdis” është një shfaqje-homazh për politikanin, intelektualin dhe profesorin e njohur shqiptar Ukshin Hoti, ish i burgosur politik në burgjet jugosllave e serbe. Ai ishte burgosur disa herë, në vitin 1981 për herë të parë, e së fundmi në vitin 1994. Zyrtarisht ngelet njëri nga mbi 1,500 të zhdukurit e luftës, kufomat të cilëve akoma nuk jan gjetur”, thuhet në njoftimin e teatrit.

Sot, Ukshin Hoti është kthyer në një simbol që sublimon fatin tragjik të atyre dhjetëra mijëra të burgosurve politik shqiptar, të vrarë e të torturuar burgjeve jugosllave e serbe.

“Por ai është poashtu edhe ëmblemë që reprezenton përpjekjen, përkushtimin, sakrificën e angazhimin politik për liri, barazi e dinjitet të popullit shqiptar, të atyre dhjetëra mijëra grave e burrave aktivist të ilegales shqiptare në Kosovë. Rezistenca, qëndresa dhe çmimi i lartë që ky brez idealistësh ka paguar në burgje, me krejt dritë-hijet, është bazamenti i republikës së Kosovës, por është edhe frymëzim për brezat që tani po rriten pa frikën se dikush mund t’i burgosë vetëm pse janë shqiptar”, thuhet tutje në njoftim./KultPlus.com

Të ngjajshme