4 Maj, 2022 - 1:04 pm
Qendra Multimedia sjellë në Teatrin Oda në Prishtinë, premierën e re të shfaqjes “Burrnesha”, regjinë e së cilës e ka bërë Erson Zymberi. E shkruar nga Jeton Neziraj, në shfaqje luajnë aktorët: Tringa Hasani, Semira Latifi dhe Kushtrim Qerimi.
Rreth shfaqjes
Burrneshat janë gra shqiptare që vendosin të jetojnë si burra. Mbas një vendimi të pakthyeshëm, ato heqin dorë nga seksi dhe nga jeta e tyre si gra dhe fillojnë të jetojnë si burra, duke përfituar kështu disa nga privilegjet që në ato anë i gëzojnë vetëm meshkujt.
Perspektiva perëndimore e hulumtimit të fenomenit të burrneshave të përbetuara shqiptare ka qenë kryesisht ekzotike, pra, një shikim i “botës së civilizuar” ndaj asaj “të pacivilizuar”. Ka pasur poashtu njëlloj eksploatimi të llojit të vet që i është bërë këtij fenomeni dhe i cili është shfrytëzuar dhe përdorur nga të gjithë, veçanërisht nga mediat ndërkombëtare por edhe nga hulumtuesit e fushave të antropologjisë, sociologjisë, etnografisë e kështu me radhë. Një lloj intimiteti që këtyre burrneshave u ka garantuar akti i të kthyerit në burrneshë, krejt përnjëherë u është ekspozuar mediave dhe publikut, ekspozim i cili nuk u ka sjellë ndonjë përfitim burrneshave, përkundrazi, në shumë raste ato janë portretuar në dritën e primitivizmit dhe si ‘relikte’ të një shoqërie skajshmërish patriarkale. Por për shumë nga këto gra, të vishesh si burrë dhe të bëhesh burrneshë ka qenë një akt emancipues. Ato e lidhin këtë akt me idenë e “lirisë”. Dave King e ka quajtur këtë fenomen si “migrim gjinor”, duke e krahasuar me migrimin gjeografik.
Në shfaqjen “Burrnesha”, antropologia angleze Edith, pas vizitës në veriun e Shqipërisë, takohet me Sose-n, njërën nga pak burrneshat e mbetura shqiptare. Të dyja, pastaj udhëtojnë në Londër, në një seri të prezentimeve publike në London University. Gjatë kësaj vizite, Sose bëhet pjesë e një queer performance që është duke u përgatitur nga Julian, që është një drag-queen e njohur e Londrës. Për Sose,-n takimi me një kulturë kaq të huaj bëhet çështje ekzistenciale.
“Burrnesha” trajton fenomenin e burrneshave, nën dritën edhe të debatit të tanishëm mbi cështjet gjinore, si dhe adreson konceptin e lirisë, respektivisht mos-lirisë në shoqëritë me vlera, koncepte e konstrukte të ndryshme shoqnore.
Premiera e shfaqjes vjen më datë 10 maj, nga ora 20:00.
Reprizat e radhës janë paraparë për datat 11 dhe 12 maj, po në teatrin Oda në Prishtinë. Skenografinë e shfaqjes e ka realizuar Bekim Korça, muzikën Trimor Dhomi, koreografinë Gjergj Prevazi, kostumet Yllka Brada, menaxhere e produksionit është Aurela Kadriu, dritat I ka realizuar Mursel Bekteshi, mbështetja teknike vjen nga Pajtim Krasniqi e Bujar Bekteshi, video nga Ilir Gjocaj, kurse assistente kostumografe është Flaka Rrustemi.
Ky është produksioni i parë në gjuhën shqipe i kësaj drame. Më herët ajo është vënë në skenë në gjermanisht, në Zvicër, si një bashkëprodhim i forever productions, Schlachthaus Theater Bern, Theater Ëinkelëiese Zürich, Kleintheater Luzern dhe Kellertheater Winterthur./ KultPlus.com