16 Prill, 2025 - 1:56 pm
Vjollca Duraku
Mbrëmë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës u dha premierë shfaqja mysafire nga Teatri i Gjilanit “Djali”, e dramaturgut francez Florian Zeller, e realizuar nën regjinë e Erson Zymberit.
Shfaqja “Djali” është një dramë e cila trajton një tematikë mjaft aktuale të shoqërisë bashkëkohore që ka të bëj krizën e adoleshencës, sfidat e prindërve dhe boshllëkun emocional që krijohet nga marrëdhëniet ndërmjet trinomit të familjes.
Një tufë drite mbi secilin personazh ndizej duke paraqitur gjendje të ndryshme të secilit pjesëtar të familjes në përbërje me: babain Pierre (Kushtrim Qerimi), dy gratë e tij Anne dhe Sofia (Safete Mustafa Baftiu & Tringa Hasani) dhe dy djemtë e tij, Nikolas dhe Sasha (Yzeir Meha, dhe bebja në karrocë).
Secila gjendje e tyre, shpërfaqte një vuajtje dhe dhimbje të thellë që ishte pasojë e sjelljeve dhe gjendjes së njëri- tjetrit. Shfaqja flet për tensionet emocionale dhe psikologjike pas ndarjes së një çifti, gjendje e cila komplikohet edhe më shumë me prezencën e gruas së dytë.
Nikolas, djali i madh i Pierre gjendet në një depresion të thellë, pas ndarjes dhe keqkuptimeve të prindërve të tij. Mungesa disa mujore e Nikolasit në shkollë i bën bashkë prindërit e tij për të diskutuar rreth gjendjes së tij shqetësuese. Heshtjet në dramë pasoheshin me mesazhe të thella dhe tensione emocionale, të cilat nuk përçoheshin përmes fjalëve.
Vetëm pas një diskutimi mbi rëndësinë e shëndetit mendor dhe emocional të fëmijës së tyre, që ishte shkaktuar nga kriza e çiftit, e pastaj edhe urrejtja që i ishte përcjellë nga nëna e tij kundër babait, Nikolas merret në shtëpinë e Pierre-s, ku prezente është edhe gruaja e tij e dytë. Në këtë rast roli i Pierre si baba komplikohet pasi ai gjendej në mes të gruas dhe djalit të tij të vogël në njërën anë, dhe ish-gruas dhe djalit të madh në anën tjetër.
Një tentativë e Nikolasit për vetëvrasje, e detyron atë të mbyllet në një spital psikiatrik. Nga lutjet dhe përgjërimet e tij ndaj prindërve për ta nxjerrë nga ai vend “psikopatësh” dhe “sociopatësh” e rikthen në shtëpi përsëri. Kjo skenë pasohet nga një ‘lumturi’ familjare, ku Nikolas shfaqet në një gjendje të shëruar plotësisht. Një shërbesë ndaj prindërve me çaj, është skena e fundit ku ai paraqitet, pasi me tu larguar kryen vetëvrasje, gjë e cila lë pasoja të mëdha në jetën e prindërve.
Në iluzionet e tij, Pierre vazhdon komunikimin dhe flet me Nikolasin pas ‘suksesit’ të tij si një shkrimtar. Kjo gjendje iluzive ndërprehet kur gruaja e dytë e fton të darkojë me të ftuarit e familjes. Ajo i qëndron afër duke e bindur të qetësohej bashkëshortin e saj, i cili ndihej në faj dhe i penduar për tragjedinë e të birit.
Në fund të ngjarjes, në një prononcim për KultPus, regjisori Erson Zymberi ka thënë se teatri duhet të trajtoj tema sociale të cilat komunikojnë dhe flasin për kohën, por edhe për publikun, pasi sipas tij në të kundërtën teatri nuk e kryen misionin fisnik.
“Florian Zeller shkruan për një ngjarje reale e cila ka ndodhur së fundmi në Paris, në një shoqëri shumë të civilizuar. Problemi me të cilin ata ballafaqohen nuk është aspak i largët, pasi është në Evropë. Kjo ka qenë arsyeja se përse kam dashur t’i rikthehem një teatri të varfër, një teatri të heshtjes, një teatri të të pathënave dhe një tematike ku shpesh fshihemi prapa fasadave të familjeve moderne, që në rrënjë të tyre qëndrojnë probleme që ata kanë, por që heshtën, nuk fliten në shoqërinë tonë, ose të paktën tejkalohen, neglizhohen e mandej ato probleme mund të rriten dhe të përfundojnë në shumë fatkeqësi të ngjajshme, me pasoja të mëdha sikurse personazhi Nikolas”, ka thënë regjisori.
Regjisori Zymberi ka thënë që teatri duhet të jetë më afër popullit, më afër shoqërisë, dhe të flitet përmes gjuhës së tyre.
“Procesi i realizmit të shfaqjes sa i përket bashkëpunimit me aktorë nuk ka qenë aspak sfidues, përkundrazi mendoj që ka qenë një proces shumë i lehtë. Fillimisht kemi diskutuar shumë. Tema ka qenë shumë e njohur, ajo që kemi pasur shumë kujdes është fakti i balancimit të emocioneve dhe i krijimit të tensioneve përmes heshtjeve, pauzave psikologjike dhe përmes asaj që fjala dhe veprimi të jenë në koordinim me njëri tjetrin, të cilën gjë aktorët kanë arritur ta kuptojnë shumë mirë, dhe së bashku me energjinë e tyre kemi arritur të krijojmë një produkt i cili është parë sonte. Jam shumë i lumtur që po vazhdon të pëlqehet jo vetëm në Teatrin e Gjilanit, por edhe në teatre të tjera. Reagimet dhe feedback-u i publikut është i jashtëzakonshëm, kjo na bën ne të ndihemi shumë mirë”, ka thënë regjisori.
Ndërsa, aktorja Safete Mustafa- Baftiu në një prononcim për KultPlus ka shprehur emocionet e saj pas premierës së shfaqjes “Djali” në Prishtinë.
“Sa herë që e luajmë këtë shfaqje emocionet shtohen, ngase është një tekst që vazhdimisht të rrëmben. Zakonisht pas shfaqjes ndihem e çliruar sidomos pas kësaj shfaqje në Prishtinë, sepse shfaqja kërkon akumulim të emocioneve, pastaj kur ato shpërthejnë, kur nxirren para publikut shpërthejnë edhe reagimet dhe ndjenjat që i kemi përçuar te ata. Kur sheh që publiku e ka pranuar aq lehtë edhe aq mirë është ndjenjë e jashtëzakonshme. Përgëzimet që marrim nga publiku pas shfaqjes janë patjetër një çlirim, gëzim, e krenari”, ka thënë në fund aktorja Mustafa- Baftiu.
Shfaqja “Djali” me regji të dramaturgut francez Florian Zeller, e realizuar nën regjinë e Erson Zymberit do të jepet edhe sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në ora 20:00/ KultPlus.com