29 Tetor, 2019 - 11:00 am
Xhemile Hysenaj
Këngë, qeshje, britma e sharje, u dëgjuan mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, që erdhi nën regjinë e András Urbán, shkruan KultPlus.
Drama ishte e bazuar në romanin e shkrimtarit Veton Surroi, që mban titullin ”Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”. Drama trajton një gërshetim të tragjikes dhe komikes, përmes së cilave tentohet të kuptohet djallëzia njerëzore, dashuria e sakrifica.
Ngjarja e dramës vinte në disa etapa, ku për bazë kishte një familje informatorësh të Kosovës, të cilët brez pas brezi i shërbenin çdo regjimi, atij serb, fashist, italian e nazist. E çuditshmja e kësaj ishte se shërbimi bëhej as pa më të voglin rezistim. Mirëpo, në çdo regjim, ishte edhe një historik i vogël, e sidomos nën regjimin komunist serb, ku trajtuan dhunimet e vrasjet në Kosovë. Vëmendje pak më e madhe i ishte dhënë luftës së fundit në Kosovë dhe poashtu një pjese pas luftës. Ku dilnin në pah ata që kanë përfituar nga lufta, ata që sakrifikuan e ata që humbën më të dashurit e tyre, shkruan KultPlus.
Shfaqja ka një sens provokues në vete, duke përçuar kështu një mesazh thumbues tek masa. Duket sikur, qëllimi i saj ishte të përplaste një të vërtetë lakuriqe, sipas së cilës në kohën e regjimeve të ndryshme, nuk jemi të gjithë engjuj apo viktima. Ka prej atyre që shfrytëzojnë luftën, për përfitime personale, gjatë dhe pas mbarimit të saj.
Ajo që vihej më shumë në pah, ishte ”seksi”, si dukuri. Përmes së cilit, figura e gruas përbuzet e diskriminohet deri në atë masë, saqë seksi fillon të shihet si zgjidhje për shumë probleme.
Marie Gjoni, një personazh emrin e të cilës e mbante edhe shfaqja, ishte një aktore e bukur, atipike për shoqërin, e cila duke qenë e bukur, nuk kishte si të mos e shfrytëzonte bukurinë e saj, mirëpo e mbronte me krenari feminitetin e saj.
Edona Reshitaj, e cila luante në rolin e Marie Gjonit, rol ky që kërkonte eksplicitet në disa skena, për KultPlus tregoi se roli i saj ka qenë mjaft sfidues.
”Jam e lumtur që kam pasur rastin të marrë këtë rol, pasiqë kohët e fundit kam qenë shumë aktive në shfaqje dhe ky rol ka qenë shumë më ndryshe prej roleve tjera, kjo më përmbush si aktore, pasiqë në çdo rol të ri, unë zbuloj edhe dicka të re për vetveten”, ka thënë ajo për KultPlus.
Drama trajtonte fatin e kosovarëve ndër vite, trajtonte nevojën e tyre për të pasur Republikë e Kushtetutë, mirëpo kjo trajtesë i bëhej me një gjuhë vulgare e me një ironi të theksuar.
Veton Surroi, i cili mund të themi se është edhe nismëtar i kësaj shfaqjeje, për KultPlus u shpreh shumë i kënaqur me aktorët dhe mënyrën se si ata përvetësuan rolet e tyre.
”Mendoj se regjisori është përpjekur të bëjë një dinamizim të një shfaqje që përfshin një periudhë të gjatë kohore. Do të jetë një shfaqje e cila padyshim do të jetë ngacmuese”, është shprehur ai më tutje për KultPlus.
Drama që rrjedhte si një gërshetim i komikes me tragjiken, ku humori dilte kryesisht nga dhimbja, e vinte për publikun si një ironi e kulluar, tek publiku ngjallte emocione, herë të qeshura pa fund e herë herë edhe tronditje, nga disa skena që zakonisht janë të rralla në skenën e Teatrit Kombëtar.
Aktori Shpëtim Kastrati, për KultPlus tregoi se kjo nuk është hera e tij e parë që bashkëpunon me regjisorin András Urbán dhe tashmë edhe pse me një teknikë jo të zakonshme të punës, ai është mësuar se çfarë kërkon regjisori dhe si duhet realizuar ajo.
”Si cdo rol tjetër edhe ky rol ka kërkuar punë, mund e djersë, mirëpo për dallim prej shfaqjeve tjera, kemi pasur kohë më pak për pëgatitje. Për mua është shfaqja e dytë me këtë regjisor, ai ka një stil pak më ndryshe në realizimin e përgatitjen e shfaqjes, mirëpo është mënyra e tij dhe tashmë jemi mësuar me të”, potencoi ai për KultPlus.
Aktorët që luajtën në këtë shfaqje, ishin: Adrian Morina, Edona Reshitaj, Shpëtim Kastrati, Ylber Bardhi, Shkelzen Veseli dhe Armend Baloku.
E në fund të shfaqjes, aktorët vlerësohen për punën e tyre me duartrokitje të publikut. E duartrokitjet për këtë shfaqje vazhduan me minuta të tërë, që vinin si një shenjë falënderimi për të gjitha emocionet që ata përçuan tek publiku. / KultPlus.com