12 Nëntor, 2017 - 12:51 pm
Një skenografi e thjeshtë, e përqendronte të gjithë vëmendjen tek dy valltarët. Me një ritëm të ngadaltë fillojnë lëvizjet e tyre duke bredhur rreth skenës, e ndonjëherë duke u ndeshur në sy, për t’i lenë më pas skenën njëra-tjetrës.
Gili Hoxhaj
Loja e shfaqjes “Tordre”e cila u shfaq mbrëmë në kuadër të programit France Danse Orient Express bëri që publiku kosovar të shijoi një shfaqje të dytë të vallëzimit bashkëkohor francez, shkruan KultPlus.
Skena e Teatrit Oda dukej sikur të dërgonte në një udhëtimi marramendës, përmes lojës mahnitëse që ngërthente në vete kjo shfaqje me koreografi të Rachid Ouramdane dhe nën interpretimin e balerinëve Annie Hanauer dhe Lora Juodkaiten.
Një skenografi e thjeshtë, e përqendronte të gjithë vëmendjen tek dy valltarët. Me një ritëm të ngadaltë fillojnë lëvizjet e tyre duke bredhur rreth skenës, e ndonjëherë duke u ndeshur në sy, për t’i lenë më pas skenën njëra-tjetrës.
Annie Hanauer, vjen e zbathur dhe me flokët e saj që sillen gjatë lëvizjeve të trupit të saj. Vallëzimi i saj vjen më i frenuar, me një siguri dhe saktësi të plotë, herë duke u ngjitur për toke e herë duke u ngritur për ta drejtuar trupin e saj me çdo tingull të muzikës që dëgjohej në sfond. Ajo vije për herë të parë në Ballkan dhe mbrëmë solli interpretimin e parë për publikun e Prishtinës.
“Është shumë e veçantë të jesh këtu dhe ta takosh audiencën e Kosovës, është shumë kënaqësi që të vish dhe të ndash punën tënde me njerëzit këtu dhe të pritesh me kaq shumë ngrohtësi. Kjo që sollëm sonte është një punë shumë personale, kemi punuar shumë për se afërmi me koreografin Rachid, ishte diçka që vinte nga sytë e tij që lidhej me atë se çfarë ai e shihte në sytë tanë, pra ajo çfarë patë ishte nga brendësia e neve të dyjave. Kemi pasur shumë bashkëpunim me njëra-tjetrën për ta arritur këtë”, tha Hanauer për KultPlus.
Lora Juodkaite, valltarja lituaneze mbrëmë dhuroi shumë magji përmes vallëzimit të saj, të ndërthurur me rrëfimin e saj personal. Ajo sillej derisa zëri i saj tregonte për lirinë që ajo ndiente rreth rrotullimit, dhe kujtonte se si në fëmijëri brenda qilimit të dhomës së saj e kishte shndërruar të sillurit në zakon. Rrotullimi i saj dukej se tretej me shpejtësi në hapësirë, e shpesh dukej se duart e saj tejkalonin brenda trupit të saj, e shumëfishoheshin në skenë. “Edhe kur jam e lodhur, edhe kur jam e sëmurë, unë sillem”, ishin fjalët që pëshpëriste me zë derisa sillej.
“Unë sillem që kur isha fëmijë, kam ardhur në këtë botë e tillë dhe vazhdoj edhe sot të sillem. Thjeshtësia dhe origjinaliteti është ajo që po i mungon kësaj bote. Esenca e kësaj performance është të jetë e thjeshtë, e pastër dhe të mos ketë asgjë false, asgjë shtesë… jemi vetëm ne me ju. Ne ndamë me publikun atë çfarë ne jemi. Rrotullimi im në skenë është diçka përtej asaj që mund të shpjegohet”, tregoi ajo për KultPlus.
Një performancë e tillë nga balerina lituaneze po vinte për herë të parë në Kosovë, për të marr një energji të mahnitshme nga publiku.
“Nuk kam udhëtuar ndonjëherë më parë rreth Kosovës, energjia e publikut ishte e mahnitshme. Është një gjë shumë e mirë të ndash kohën me publikun dhe po ashtu të shohësh mënyrën e jetesës këtu, ne gjithashtu ishim në studion e Baletit Kombëtar dhe e pamë se kushtet në të cilat punohet këtu janë shumë të vështira dhe në një far mënyrë jemi të lumtura që vijmë këtu për të sjellë përkrahjen tonë dhe shpresoj që kemi sjellë për të sjellë pak pozitivitet dhe energji”, shpjegoi tutje Lora Juodkaite për KultPlus.
Kësaj mbrëmje Ambasada e Republikës së Francës në Kosovë i kishte paraprirë me organizimin e një spektakli më 7 tetor në Teatrin Kombëtar të Kosovës me baletin e Angjelin Preljocaj.
“Ky program ka për qëllim të promovoi vallëzimin, baletin dhe teatrin duke punuar me partnerë vendor. Jemi shumë të lumtur që kemi arritur një bashkëpunim me botën e baletit, të vallëzimit këtu në Kosovë”, ishin fjalët hyrëse të ambasadorit francez Didier Chabert.
Florent Mehmeti, drejtor i Teatrit Oda tha se ky teatër po bën përpjekje që për shikuesit e vet të ofroj diçka që nuk është shumë e madhe si produksion në Kosovë.
“Kjo është për me tregu që edhe ma herët edhe tash po ndërthurim plane për zhvillimin e vallëzimit bashkëkohor në Kosovë por edhe të disiplinave të tjera që nuk janë shumë prezente në Kosovë”, u shpreh Mehmeti. /KultPlus.com