Shfaqja “Gratë e Trojës” ekperimentim dy-gjuhësor në Kino Lumbardhi

23 Prill, 2024 - 1:47 pm

Florida Kastrati

Gratë e Trojës, e shkruar nga Euripidi 2400 vjet më parë, përshkruan ngjarjet pas luftës 10-vjeçare mes grekëve dhe trojanëve dhe shpesh konsiderohet si një nga dramat më të mira të shkruara kundër luftës ndonjëherë.

Drama flet se si gratë e mbijetuara pas luftës së Trojës, pasi qyteti i tyre ishte plaçkitur dhe burrat e tyre ishin vrarë, u ndanë në mes pushtuesve duke u zënë robër nga ta.

Përvojat, vuajtjet dhe situatat e grave Trojane janë të shtjelluar në këtë tragjedi, ashtu siç shtjellohet fati i Hekubës, Andromakës, Helenës, Kasandrës dhe grave të tjera të Trojës në shfaqjen “Gratë e Trojës” ku u trajtuan temat e luftës, feminizmit, dhunës dhe dinjitetit njerëzor.

Një prezantim skenik i bazuar në dramën e Euripidit, u shfaq në Kino Lumbardhi në Prizren, me 15 prill, si një shfaqje bashkëpunuese mes trupës së Artpolis me regjisore Zana Hoxhën dhe me regjisoren Maja Mitic dhe aktorë të tjerë nga Serbia.

E veçanta e kësaj shfaqjeje është se ajo është e punuar në shqip dhe serbisht, nuk ka titra, por që fjalët e thëna nga aktorët në secilën gjuhë, në njëfarë forme të mjaftojnë për ta kuptuar esencën e shfaqjes. Ky diversitet që drama e promovon shihet edhe në pjesëmarrjen e publikut.

Kjo shfaqje feministe na e tregon luftën prej shumë perspektivash dhe prej shumë kohësh. Në zemër të saj është dhimbja e më të pafuqishmëve dhe më të pambrojturave në shoqëri gjatë kohërave të luftës, ata dhe ato të cilët bartin më së shumti pasoja.

Elementet skenike, sado të pakta, si dhe ndriçimi adekuat, të kombinuara me pamjet e çrregullta të aktoreve dhe me një koreografi mbështetëse jehojnë vazhdimisht me mesazhin e shfaqjes.

Një skenë e fuqishme kur gratë kapërthehen në mes me litarë nga figurat meshkuj të shfaqjes, tregon vizuelisht izolimin total fizik dhe emocional të tyre. Njëherit kjo skenë dinamike përcjell edhe emocione të forta te publiku. Në një moment shfaqja nxjerr në pah para audiencës arsyen qesharake të grekëve për fillimin e luftës së Trojës.

Hekuba shfaqet e tmerruar dhe e tërbuar nga vuajtjet që gratë durojnë nga lufta e burrave. Kasandra hakmarrëse pret të bëhet konkubinë e Agamemnonit sepse ashtu ka urdhëruar ai. Dashuria e nënës dhe humbja e fëmijës paraqitet më tej nga Andromaka gjersa ajo zbaton urdhrin e tmerrshëm që ta dorëzojë djalin e saj për t’u therur nga grekët.

Shfaqja gjithashtu është një thirrje për shoqërinë që të flasim për traumat, frikën dhe përjetimet tona ngase siç tha edhe regjisorja Mitic “Duke folur për to ne zgjedhim mënyrën më të mirë që ta kuptojmë njëri-tjetrin”.  Mbi të gjitha shfaqja mbetet një thirrje e qartë për tolerancë, empati dhe paqe.

I njohur për aktivizëm të vazhdueshëm shoqëror përmes artit, sidomos prej një këndi feminist, Organizata Artpolis përmes kësaj shfaqjeje sjell revolucion në teatrin kosovar, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e publikut në komentim dhe ide-dhënie.

 “Teatri është një laborator që të ofron shumë mundësi. Kisha dashur që ne si shoqëri të flasim më shumë se si të ecim përpara, dhe të mendojmë realisht si është me e ndërtu paqen, pa harru të kaluarën dhe pa e harru drejtësinë,” tha regjisorja Zana Hoxha, në një diskutim me publikun pas shfaqjes.

Edhe pse e shkruar fillimisht nga Euripidi si një protestë e zjarrtë kundër mënyrës se si Athina atëbotë i trajtoi të drejtat e grave në rrethana të tilla, shfaqja e sjellur në skenë nga Artpolis, pavarësisht origjinës së saj të lashtë, rezonon edhe në ditët e sotme.

Shfaqja gjithashtu flet edhe për politikanët e sotëm dhe qëndron si metaforë për arrogancën e pushtetit.

Në shfaqje shihet që regjisoret kanë ndërthurur elemente moderne, sidomos në një skenë proteste ku aktoret përmendin emrat e shteteve të përfshira në luftë.

Të braktisuar nga zotrat, që do të përkthehej nga mekanizmat e tjerë vendimmarrës e paqe-rregullues në kohën e sotme, gratë, madje edhe popujt, fatkeqësisht vazhdojnë të vuajnë e të vriten padrejtësisht.

Kështu shfaqja kalon nga tema e luftës, në promovimin universal të paqes, jo vetëm për gratë, por për gjithë njerëzimin.

Një ekperiment i tillë teatral me temën e Grave të Trojës në qendër, me regjisorë dhe aktorë të ndryshëm nga dy shtete me histori konflikti, por edhe me përfshirjen e audiencës në komentim të shfaqjes, duket të jetë bashkëpunim mjaft premtues, plotësinë e të cilit do ta shohim atëherë kur shfaqja do ta prezantojë edhe premierën e vet./ KultPlus.com

Të ngjajshme