25 Prill, 2024 - 11:30 pm
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor e ka shtuar numrin e shfaqjeve jashtë kufijve shtetërorë, me synimin që të shërbejë si pasaportë diplomatike e trashëgimisë sonë kulturore.
Shfaqja koncertore “Il trittico” i Puçinit udhëtoi drejt qytetit bregdetar të Varnës, Bullgari. Me regji të Ada Gurrës, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli, dhe me sopranon Dorina Selimaj, shfaqja u dha për publikun artdashës të qytetit bullgar në datat 22 dhe 24 prill.
Drama dhe pasioni i “Il tabarro”-s u përcollën plot emocione nga sopranoja Dorina Selimaj dhe baritoni Plamen Dimitrov, si dhe solistë të shquar ndërkombëtarë, si Kiril Manolov, Linka Stoyanova, Reynaldo Droz, Zhana Kostova e të tjerë, kori dhe orkestra e Teatrit të Varnës.
Regjisorja Ada Gurra e çoi konceptin e saj regjisorial të “Il trittico-s” përtej kufijve të Rajonit, duke i dhënë shkëlqimin e përkujdesin e nevojshëm kësaj vepre, në skenën e mirënjohur e prestigjioze të Teatrit të Varnës.
Gjatë periudhës qershor-korrik, në skenën e Teatrit të Varnës do të vihen dy produksione të TKOB-së, “Samsone et Dalila” dhe “La Boheme”, nën dirigjimin e maestros Sipari. / KultPlus.com