1 Qershor, 2019 - 11:00 am
Alberina Haxhijaj
Mbrëmë në natën e tretë të Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, u dha shfaqja “Kreolët e Ballkanit” e regjisorit Enver Petrovcit. Kjo shfaqje e cila në fokus të saj ka konfliktet me bazë etnike bëri që në Beograd të ngritët pllakata “Kosova Republikë” dhe të valëvitet flamuri kombëtar, shkruan KultPlus.
Drama e jetës së Hekuranit, i cili nuk i përket asnjë vendi pasi që nënën e ka serbe dhe babin shqiptar, solli në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, steriotipet dhe paragjykimet që ekzistojnë në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Kjo nuk kaloi pa u vënë re nga publiku heterogjen, pasi që të dy palët kuptonin absurditetin e situatës që shfaqej. Serbët e konsideronin vetën të mirë ndërsa shqiptarët ishin e kundërta. E të njëjtën gjë e mendonin edhe shqiptarët për palën tjetër. Absurditeti i epiteteve që ia kanë lënë njëri-tjetrit këta dy popuj u vunë në pah sidomos gjatë dialogut të Marias (Vanesa Petrovci) dhe Hekuranit (Elidon Alika).
Maria, një serbe e re mendon që shqiptarët duhet vrarë e prerë pasi që këtë e bënë edhe polici, një njeri të cilin ajo e konsideron të mirë pasi që i jep çokollata duke mos e kuptuar që në fakt ai është personazhi negativ i kësaj histori, personi që edhe e ka dhunuar atë. Hekurani një kreolë, një djalë që nuk pranohet nga asnjëra palë pasi që ka gjak të përzier, beson në përrallën që e tregon vet, një përrallë ku bota është më e mirë. Madje ai për këtë mundohet ta bindë edhe Marinë.
“Është një vend, ku të gjithë janë të lumtur, aty ka edhe serb edhe shqiptarë, por jo policë”, i thotë ai Marias, të cilës i ka vdekur nëna ndërsa babin i saj është në burg. E përtej dashurisë, ëndrrës për një botë më të mirë, kjo shfaqje sjellë edhe anën e errët, policët të cilët janë kriminal, një miqësi e cila shkatërrohet për shkak të mosbesimit, dhe tradhtinë me synim që të përfitohet nga situata e krijuar.
Edhe pse e shkruar 10 vite para fillimit të luftës në Kosovë, shfaqja akoma përputhet me realitetin dhe gjendjen aktuale politike por edhe me realitetin dhe ambientin në të cilin po mbahet festivali “Mirëdita, dobar dan” i cili në dy ditët e para të tij u shoqërua me protesta. Premiera e kësaj shfaqje, e cila erdhi mbrëmë në Beograd, u dha në Tiranë në fund të dhjetorit të vitit 2018. Mungesën e realizimit të kësaj shfaqje pas gjithë këtyre viteve, regjisori Petrovcit e arsyetoi me faktin se vetëm së fundi janë krijuar mundësitë për shfaqjen e saj.
“Ka ndodhur cdo gjë që e kam shkruar. Unë kam dashur gjithmonë me ba këtë shfaqje por ka qenë rrezik, ku me e vendos shfaqjen ku Kosova bëhet republikë, ku fitues bëhen hajnat. Por kjo nuk ndodhë vetëm tek shqiptarët kjo ndodhë tek popujt që më në fund e fitojë atë që e kanë dëshiruar me decenie. Këto e simbolizojmë me rolin e Muhametit, i cili është ambicioz dhe i vetmi që mbetet gjallë dhe i cili fiton me paratë e Hekuranit të cilat ai ia lenë Marisë, e cila po ashtu në fund mbetet me Muhametin”, theksoi Petrovci.
Për realizimin e kësaj shfaqje e cila zgjatë 1 orë e 40 minuta kasta e aktorëve së bashku me regjisorin Petrovci kanë punuar për më shumë se dy muaj. Gjithë këtë proces e ka konsideruar të fuqishëm dhe kërkues, aktori Elidon Alika i cili për herë të parë ka punuar me regjisorin Potrovcin në këtë shfaqje.
“Shfaqja prek Ballkanin, nuk është se është politike Kosovë-Serbi, prek ata njerëz të cilët kanë gjak të përzier, ata qe kanë babin serb dhe nënë shqiptare, apo kroat, boshnjak dhe të tillët janë gjithmonë të diskriminuar. Kur janë nga ana shqiptarë ju themi e keni nanën serbe kur janë nga ana serbe ju themi e keni babën shqiptarë. Dhe pikërisht këta janë edhe personat qe kanë vuajtur shumë”, theksoi Alika.
Kjo shfaqja përmbylli ditën e parafundit të edicionit të 6-të të festivalit “Mirëdita, dobar dan”. Shfaqja deri më tani përveç Tiranës është shfaqur edhe në Kroaci, Ulqin dhe Gjilan./ KultPlus.com