25 Shkurt, 2021 - 1:15 pm
Xhemile Hysenaj
Artisti i jashtëzakonshëm i teatrit, filmit e muzikës shqipe, Muharrem Qena po kthehet edhe njëherë në teatër, pikërisht në vendin ku la gjurmët më të fuqishme artistike. Me tekst të Arian Krasniqit e me regji të Kushtrim Koliqit, shfaqja ‘LA RREM’ që do të shpalosë personazhin e Muharrem Qenës, ka filluar me provat eksploruese tekstuale në kuadër të programit artistik të skenës së madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Drama është një dedikim për figurën e Muharrem Qenës si projektuesi i frymës moderne në teatër si aktor dhe regjisor si dhe në fushën e formulimeve dhe interpretimeve muzikore, ndërkaq, rolin e tij do ta luaj Ernest Malazogu.
Ka qenë vajza e Muharrem Qenës, Rebeka, ajo e cila së bashku me Kushtrim Koliqin, regjisorin e shfaqjes kanë vendosur që të merren më seriozisht me figurën e Qenës. Pasi siç ka treguar Koliqi për KultPlus, ai shpesh në biseda me komunitetit artistik ka deklaruar se figura të tilla artistike si ajo e Qenës, duhet të ringjallen në forma të ndryshme.
“Një nga arsyet që më shumë më ka shty me u marrë me Muharremin ka qenë fakti se tjerët nuk janë marrë sa duhet. Unë besoj se ai nuk e ka ende vendin meritor, ashtu siç është dashtë me pas”, ka theksuar Koliqi për KultPlus.
Koliqi ndër të tjera, ka treguar poashtu se fillimisht është punuar biografia e artistit, nga regjisorja tashmë e ndjerë Arzana Kraja dhe dramaturgu Arian Krasniqi, mirëpo që kjo monografi akoma nuk është botuar si pasojë e pengesave të shkaktuara nga situata pandemike.
“Është një presion i shtuar karshi shfaqjeve tjera, sepse për shkak të respektit individual që e kam për Muharrem Qenën e sidomos për kontributin e tij në skenën e teatrit është përgjegjësi e madhe të realizosh një shfaqje për të. Por besoj që ky presion është pozitiv sepse na shtynë drejt rezultateve më të mira për realizimin e shfaqjes”, thekson tutje Koliqi.
‘LA RREM’ nuk është një vepër autobiografike. Qëllimi i kësaj shfaqjeje është që të shpalosë kryesisht figurën e një artisti shumëdimensional siç ishte Qena, një artist jokonformist i cili kurrë nuk i është përkulur sistemit e as nuk i është lajkatuar por përkundrazi ka qenë një rebel i papërmirësueshëm duke mos pranuar asnjëherë të intervenohet në punën e tij artistike. Një artist tejet i talentuar, për të cilin Koliqi potencon se kishte lindur në kohë e vend të gabuar dhe kontributi i tij nuk ishte njohur aq sa është dashur t’i njihej.
“Njerëzit kanë me i kuptuar përmasat e një artisti si Qena nëpërmjet rrugëtimit të tij jetësor dhe sfidat që ai i ka pasur përgjatë këtij rrugëtimi. Një artist i cili nuk e gjen veten në vendin ku jeton. Poashtu ata do të shohin se cila është kostoja e të qenit një artist i tillë”, deklaron Koliqi për KultPlus.
Ndër të tjera, Koliqi me adhurimin më të madh për figurën dhe artin e Qenës, e quan këtë të fundit një njeri revolucionar.
Për Arian Krasniqin, tekstshkruesin e kësaj drame, realizimi i një personazhi kaq kompleks si Muharrem Qena, nuk ka qenë aspak e lehtë. Duke pasur parasysh natyrën e tij prej këngëtari, dramaturgu, aktori e regjisori, veçsa e ka shtuar përgjegjësinë e Krasniqit karshi këtij personazhi.
“Qena ka qenë i veçantë në jetën artistike të vendit tonë dhe një shfaqje dedikuar atij mendoj se është më e pakta që mund të bëjmë ne, brezi i ri, si shenjë mirënjohjeje për jetën dhe veprën e tij”, ka potencuar Krasniqi për KultPlus.
Krasniqi ndër të tjera ka theksuar se duke pasur parasysh faktin që është bashkautor i librit monografik mbi jetën dhe veprën e Muharrem Qenës, ai veçse ka pasur një bazë që të konceptojë dhe projektojë edhe veprën dramaturgjike që tashmë ka filluar të jetësohet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Unë ndjehem i nderuar që jam ftuar nga Teatri Kombëtar për t’u angazhuar si autor i këtij teksti dramaturgjik dhe mendoj se ekipi me në krye regjisorin Kushtrim Koliqi do të arrijë të realizojë një shfaqje të suksesshme, dhe gjithsesi meritore, si dedikim për artistin e madh Muharrem Qena”, ka deklaruar tutje Krasniqi për KultPlus.
Pjesë tjetër e ekipit të shfaqjes janë edhe Trimor Dhomi, kompozitor; Yllka Brada, kostumografe; Mentor Berisha, skenograf; Florian Çanga, video projeksion; Kreshnike Osmani, asistent regjisore; Bajram Mehmetaj, inspicient. Ndërkaq përveç Ernest Malaozgut, aktorët tjerë pjesëmarrës në këtë shfaqje do të jenë: Shengyl Ismaili, Ylber Bardhi, Arta Selimi, Armend Baloku, Bujar Ahmeti dhe Flaka Latifi.
Kastën e aktorëve të shfaqjes e përbëjnë emra të përzgjedhur enkas nga regjisori i shfaqjes qoftë nga trupa rezidente e Teatrit poashtu dhe nga pjesa e jashtme, të cilët janë krijues të skenës së artit. Në kuadër të shfaqjes është dhe një bend muzikor fakti që pjesa teatrore qëndron mes formatit muzikor dhe atij dramatik.
Premiera e shfaqjes është para-planifikuar për pjesën e parë të muajit prillit. / KultPlus.com