1 Prill, 2021 - 11:38 am
Teatri Kombëtar i Kosovës ka shpalosur sot programin për muajin prill. Në mesin e shumë shfaqjeve, këtë muaj teatri do të sjell edhe një premierë.
Bëhet fjalë për shfaqjen “La RREM” me tekst të Arian Krasniqit e me regji të Kushtrim Koliqit.
Drama është një dedikim për figurën e Muharrem Qenës si projektuesi i frymës moderne në teatër, si aktor dhe regjisor si dhe në fushën e formulimeve dhe interpretimeve muzikore, ndërkaq, rolin e tij do ta luaj aktori Ernest Malazogu.
Ka qenë vajza e Muharrem Qenës, Rebeka, ajo e cila së bashku me Kushtrim Koliqin, regjisorin e shfaqjes kanë vendosur që të merren më seriozisht me figurën e Qenës. Pasi siç ka treguar Koliqi në një intervistë të mëhershme për KultPlus, ai shpesh në biseda me komunitetin artistik ka deklaruar se figura të tilla artistike si ajo e Qenës, duhet të ringjallen në forma të ndryshme.
Ndërkaq përveç Ernest Malazogut, aktorët tjerë pjesëmarrës në këtë shfaqje do të jenë: Shengyl Ismaili, Ylber Bardhi, Arta Selimi, Armend Baloku, Bujar Ahmeti dhe Flaka Latifi.
Premiera e shfaqjes vjen më datë 9 prill, në ora 19:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. KultPlus.com