19 Janar, 2019 - 3:13 pm
Shfaqja „Peer Gynti nga Kosova“ e autorit Jeton Neziraj dhe me regji të Agon Myftarit do të jetë pjesë e Festivalit „Blickfelder Festival“ që organizoher nga Kantoni i Zurich-ut dhe këtë vit mbahet nga 13 deri me 23 qershor 2019 në Zurich.
„Peer Gynti nga Kosova“ do të shfaqet tri herë radhazi, me 18 dhe 19 qershor të këtij viti.
„Blickfelder Festival“ është festivali kryesor i teatrit për fëmijë dhe të rinjë në Zvicër dhe njëri ndër festivalet më të rëndësishme në Evropë. Ai ka karakter ndërkombëtar dhe sivjet, pos shfaqjes nga Kosova, do të prezentohen edhe dhjetra shfaqje nga Zvicra dhe vende të ndryshme të botës.
„Peer Gynti nga Kosova“ është realizuar në maj të vitit 2017, kurse nga ajo kohë ka pasur mbi 20 repriza në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Gjermani. Sivjet ndërsa, pos në Zvicër, do të shfaqet edhe në Lyon të Francës.
„Peer Gynti nga Kosova“ është prodhuar nga Qendra Multimedia dhe ka pasur premierën në maj të vitit të kaluar. Në të luajn aktorët: Bujar Ahmeti, Donikë Ahmeti/Semira Latifi, Shpëtim Selmani dhe Tristan Halilaj.
Skenografinë e shfaqjes e ka punuar nga Nicola Minssen, kostumet nga Yllka Brada, kurse kompozimin muzikor Gabriele Marangoni. Dramaturg i shfaqjes ka qenë Stefan Schletter.
„Peer Gynti nga Kosova“ është rrëfim për një ëndërr të dështuar. I udhëhequr nga një shpresë e thjeshtë për jetë më të mirë dhe për të gjetur lumturinë, Peeri i ri, para luftës në Kosovë, niset për të kërkuar të ardhmen në ‘parajsën’ e quajtur Evropë. Ajo çka ndodhë me këtë të ri gjatë këtij udhëtimi reflekton eskperiencat e shumë desperadove të rinjë të cilët çdo vjet, të mbushur me shpresë, lëshojnë atdheun e tyre. Shpesh, në atdheun e tyre të ri, të keqtrajtuar nga autoritetet, të izoluar dhe larg nga shtëpia, me mungesë perspektive dhe të mospërfshirë në shoqëri, atyre ëndërra u bëhet një makth i madh.
Në dëshirën e tyre për t’u pranuar ata shpesh biejn viktima të shokëve të këqinjë, të cilët ua ofrojnë “sigurinë e munguar”.
Në fund, publiku e lë shfaqjen jo vetëm i merakosur dhe kuptimplotë, por edhe I argëtuar në mënyrë perkfekte. / KultPlus.com