21 Janar, 2023 - 9:30 pm
“Profesionisti”, komedia e trishtë e dramaturgut serb Dushan Kovaçeviç është ngjitur suksesshëm në skenën e “Petro Markos”, në Vlorë.
Shfaqja premierë me regji të Leka Bungos, me vetëm 4 aktorë, mbajti mbërthyer për rreth 60 minuta spektatorët që kishin mbushur sallën e teatrit.
Në interpretimin e shkëlqyer të mjeshtrit të teatrit dhe kinematografisë Viktor Zhusti, aktorit Astrit Hasani, Matilda Avdulit dhe Artan Islamit, skenografi të Drini Shehut dhe formulim muzike të Artur Dhamos, shfaqja arriti të fitojë suksesin dhe rrëmbejë duartrokitjet e nxehta të spektatorëve.
Komedia e zezë e Kovaçeviçit trajton një nga temat më të nxehta të shoqërisë në ditët e sotme, hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit gjatë regjimit komunist.
Ndërkohë spektatorë në sallën e “Petro Markos” ishin edhe shumë personalitete në fushën e artit dhe kulturës, por edhe autoritete të pushtetit lokal, ndërsa ndoqi shfaqjen dhe kreu i shtetit, presidenti Bajram Begaj.
Shfaqja “Profesioniti” do të shfaqet për publikun edhe gjatë fundjavës. Top Channel /KultPlus.com