31 Dhjetor, 2017 - 6:00 pm
Në vitet e 90-ta, Faruk Begolli kishte dërguar shfaqjen “Profesor jam talent se jo mahi”, në Istog, në mënyrë që qytetarët e asaj ane të jenë më afër teatrit. Por lërë që audienca e atjeshme e shijoi këtë shfaqje, por pikërisht kjo shfaqje vulosi të ardhmen e Astrit Kabashit. Ai deri më atëherë nuk e kishte ditur se kishte degë të aktrimit në Prishtinë, dhe me të parë këtë shfaqje atij i lindën shkëndijat e se ardhmes.
Tashmë, me shumë role prapa vetës: në teatër, film e seriale, Astrit Kabashi të len përshtypjen se gjithnjë luan në ato projekte me shije të hollë.
Në intervistën e fundvitit të dhënë për KultPlus, ai ka treguar se me fanatizëm ruan mendimin për filmin “Babai”, si filmi më i mirë i realizuar deri më tashti në Kosovë, sikurse që ka folur edhe për projektin e ardhshëm “Zana”, të cilin po e pret me të njëjtën dashuri.
Kabashi në këtë intervistë ka folur edhe për shfaqjen “Eshtrat që vijnë vonë”, ku mund të lexoni se pse mendon që kjo shfaqje mbetet si eksperienca më e vecantë për të.
Sarandë Selimi
KultPlus: Jeni një prej aktorëve më të dashur për audiencën shqipfolëse, dhe pikërisht kjo ka ardhur si sukses i roleve tua jo vetëm në teatër e film por edhe në seriale. E kishe ëndrruar këtë profesion apo ndodhi ndonjë rastësi që të rrëmbeu drejt këtij profesioni?
Astrit Kabashi: Çdo gjë filloi në vitin 1990-1991, kur aktori dhe profesori ynë i madh Faruk Begolli, tashmë i ndjerë, vizitoi qytezën e Istogut me shfaqjen “Profesor jam talent se jo mahi”, aty të them të vërtetën u mahnita me profesorin, e para, sepse kisha mundësi ta shihja nga afër, dhe e dyta, gëzimi i madh që e mora vesh se brenda Fakultetit të Arteve ekzistonte dega e Aktrimit. Aty filloi gjithçka.
KultPlus: Dhe magjia e Faruk Begollit të bëri për vete që të ndjekësh këtë profesion, më pas, kur ndodhi që ju personalisht të ngjiteni në dërrasat e teatrit?
Astrit Kabashi: Menjëherë pasi që u regjistrova në Fakultetin e Arteve, në degën e Aktrimit te Prof. Faruk Begolli, qysh në vitin e parë kam filluar në teatër. Shfaqja ime e parë ka qenë “Shtatë ngjyra lamtumire” në regji të Orhan Kerkezit dhe gjithmonë nën mbikëqyrjen e profesor Begollit, pastaj me shfaqjen “Tit Androniku” në regji të Florent Mehmetit, “Maturantët” në regji të profesorit Faruk Begollit e shumë shfaqje të tjera. Të gjitha këto në teatrin Dodona, i vetmi institucion kulturor që funksiononte në Prishtinë dhe jo vetëm në Prishtinë.
KultPlus: Por nga ajo kohë ju rrugëtuat edhe në shumë role të tjera, që tashmë Astrit Kabashin e kanë shndërruar në një figurë tejet komplekse për teatrin dhe filmin. “Bordel Ballkan”, është shfaqja e fundit në të cilën të kemi parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shfaqje kjo që edhe krijoi një ‘rrëmujë’, sa je ndjerë i ngarkuar në rolin e komandantit, rol kryesor në këtë shfaqje?
Astrit Kabashi: Jo vetëm roli i komandantit, por çdo rol e ka peshën e vet, mendoj që një aktor profesionist përderisa punon shfaqjen nuk ka pse të merret me rrëmujat ditore të politikës, ne jemi aty të kryejmë punën tonë për çka edhe jemi të thirrur. Të them të drejtën asnjë shqetësim nuk kam pasur përgjatë asaj “rrëmuje” përveç shqetësimit artistik se si do të pritet shfaqja dhe roli im.
KultPlus: Ju erdhët në rolin e komandantit nëpërmjet kësaj shfaqje në TKK, rol që natyrshëm sjellë pushtetin e komandantëve, përmes këtij roli sa mendoni që shpalosët komandantët e luftës?
Astrit Kabashi: Në këtë pyetje përgjigjen më të mirë dhe më të saktë mund t’ua jap autori i veprës Jeton Neziraj, edhe pse mendoj se komandantin që unë e luaj nuk përcaktohet në atë se cilit rajon dhe etnitet i përket. Shumë lehtë ky tekst do të mund të vihej në skenë edhe në Timorin Lindor, apo Sudanin Jugor, apo kudo që ka pasur luftë.
KultPlus: Ndërkohë, emrin e Astrit Kabashit gjithmonë e gjejmë në shfaqje të mëdha, në shfaqje të suksesshme. Me shumë sukses është përcjellë edhe shfaqja “Eshtrat që vijnë vonë”, cfarë emocioni apo përvoje të solli kjo shfaqje?
Astrit Kabashi: “Eshtrat qe vijnë vonë” ndoshta është njëra prej eksperiencave më të çuditshme që kam pasur në teatër deri më tash, e në veçanti me regjisorin Martin Koçovski. Një shfaqje komplet regjisoriale në plan të parë, aktori në plan të dytë e teksti në plan të tretë, apo fare i rëndësishëm, por që me shume mjeshtri arriti të bëjë një shfaqje të suksesshme dhe shumë të pranuar nga publiku, jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë shtetit, ku edhe u shpërblye me shumë çmime ndërkombëtare. Sa i përket eksperiencës me koleget gjithmonë është një kënaqësi, e që nuk është hera e parë qe luajmë se bashku në skenën e TKK-se.
KultPlus: Dhe viti 2018 do të gjejë në sheshxhirim të filmit “Zana”, me regji të Antoneta Kastratit, është herët të flasim për pritjet nga ky film, por nga leximi i skenarit, cfarë të rrëmbeu në këtë projekt?
Astrit Kabashi: Filmi “Zana” është në përgatitje e sipër për të filluar me xhirime, jam shumë i lumtur qe jam pjesë e këtij projekti, duke u nisur nga skenari, regjisorja, kasta e aktorëve, shpresoj që gjithçka do të shkojë mirë. T’iu them të drejtën, nëse nuk do t’më kishte pëlqyer skenari nuk do të kisha pranuar të luaj, qysh nuk kam luajtur në shumë e shumë filma të tjerë, për mua nuk mjafton të luaj edhe në një film, mjaftohem vetëm atëherë kur luaj në një film të mirë.
KultPlus: Atëherë, nëse bazohemi te kjo se çfarë u tha më lartë, si e vlerësoni filmin “Babai”, të cilin Kosova e pat propozuar edhe për çmimin Oscar?
Astrit Kabashi: Filmi “Babai” ka qenë eksperienca më e mirë për mua deri më tani në film, mendoj që ka qenë dhe ende mbetet filmi më i mirë që është punuar ndonjëherë në Kosovë, por edhe në Shqipëri apo kudo që ka shqiptarë. Më vjen keq që po dal jashtë modestisë time, sepse jam pjesë e këtij filmi, por të njëjtën gjë e tregojnë edhe prezantimet e këtij filmi, çmimet e shumta ndërkombëtare dhe mendoj që është film që ka vënë standarde në kinematografinë tonë.
KultPlus: Filmi “Babai”, ishte filmi të cilin Kosova e nominoi për Oscar, ndërsa tashti, për filmin “Zana” ka pasë disa opinione që e kanë quajtur si filmin më gjigant të Kosovës, sa je i përgatitur për një rol gjigant në këtë film?
Astrit Kabashi: Kjo fjala gjigant me frikëson pak… hahahaha… Unë shpresoj që filmi “Zana” ta ketë fatin e filmit “Babai”, e pse jo fat edhe më të mire. Sa i përket rolit do të mundohem ta jap më të mirën, gjithmonë në bashkëpunim me regjisoren Antoneta Kastrati- Cooper.
KultPlus: Mirëpo, një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës të njohin nga roli i Bekimit, tek seriali “Kafeneja Jonë”. Sa ka qenë e vështirë realizimi i atij roli dhe si ndjehesh kur njerëzit të referohen me emrin Bekim?
Astrit Kabashi: Po, “Kafeneja jonë” ka qenë prezentë një kohë të gjatë në televizionet tona, e sidomos në televizionin publik, pothuajse për 10 vite me radhë. Nuk çuditem që shumica e njerëzve me thërrasin shpesh në këtë emër, edhe pse këtë emër ja kam vu vetvetes, sepse kam qenë edhe skenarist. Sa i përket realizimit të rolit, ndihmën më të madhe e kam pasur nga kolegët e mi të mrekullueshëm të atij seriali. Mendoj që më shumë e kanë “luajtur” ata Bekim Qorrin se sa unë.
KultPlus: Ju keni edhe një detyrë tjetër, atë të profesorit në Fakultetin e Arteve-Dega Arteve Dramatike, sa premtues është brezi i ri i aktorëve?
Astrit Kabashi: Kam pas nderin të jem asistent i profesor Faruk Begollit, me ikjen e tij ne tani mundohemi ta mbulojmë atë zbrazëtirë që e ka lënë pas. Tash jam profesor i assocuar dhe është gjenerata e tretë që unë e përcjell, mendoj që duhet të ndihemi krenarë me aktorët që dalin nga ai fakultet, por është e dhimbshme perspektiva e tyre, kur në krejt Kosovën funksionon vetëm një teatër dhe brenda vitit bëhën dy ose tre filma.
KultPlus: Nëse do detyroheshe të zgjidhje mes teatrit dhe filmit, cilën do e merrje përpara, ku i fle shpirti më shumë Astrit Kabashit?
Astrit Kabashi: Në mes teatrit dhe filmit do të zgjidhja Teatrin dhe Filmin.
KultPlus: Krejt në fund, cilat janë planet e juaja për vitin 2018-të dhe çfarë urimi do kishit për adhuruesit e juaj?
Astrit Kabashi: Po, për vitin 2018 normalisht që do vazhdoj punën në fakultet, gjithashtu priten edhe dy ose tri projekte filmike për të cilat momentalisht nuk mund të flas, por që shpresoj që do realizohen. E sa i përket teatrit të shohim se a do të ketë ndonjë ofertë. Jo vetëm adhuruesve të mi, por të gjithë qytetarëve të Kosovës ju uroj së pari shëndet për vitin 2018, ta duan njëri-tjetrin dhe ta vizitojnë Teatrin./ KultPlus.com