Shfaqja “Top Girls” sonte premierë në Teatrin Dodona

18 Tetor, 2022 - 5:30 pm

Shfaqja “Top Girls”,  dramë e Caryl Churchill e cila u dha premierë në Teatrin Royal Court në Londër më 28 gusht të vitit 1982, pas rrugëtimit të gjatë ndër vite, tashmë po vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, përcjellë KultPlus.

“Top Girls”, shfaqje kjo që vjen si eksplorim i asaj se çfarë do të thotë të krijosh një jetë brenda një shoqërie patriarkale.

“Top Girls” vjen në Kosovë në një version modern me regji të Shkurtë Aliut, dhe shpërfaq mendësinë aktuale të sistemit patriarkal në Kosovë, teksa shpalos mënyrat tinëzare në të cilat patriarkati kontrollon jetën e grave.

Shfaqja eksploron rolet që janë në dispozicion të grave në shoqërinë moderne, tregon çmimin që gratë paguajnë për sukses në jetën profesionale dhe gjithashtu se çfarë do të thotë të jesh një grua e suksesshme në shoqëri.

Në shfaqje luajnë aktoret: Donikë Ahmeti, Vjosë Tasholli, Molikë Maxhuni, Zhaneta Xhemajli, Zana Berìsha dhe Blerta Gubetini.

Premiera e shfaqjes vjen sonte, në ora 19:00 në Teatrin e Qytetit të Prishtinës “Dodona”. 

“Top Girls” realizohet në kuadër të projektit “HumanRightivism” implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, përkrahur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë”. /KultPlus.com

Të ngjajshme