5 Qershor, 2024 - 9:00 pm
Dy artistë përballë ish-Sigurimit të shtetit, i plotfuqishmi i lagjes dhe përplasja e dëshirës për liri me pushtetin autoritar. Saimir Gongo ka sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar shfaqjen “Turjela”, një vepër që rreket të shpërfaqë njeriun dhe pushtetin, dhe shtypjen, tradhtinë dhe vlerat. Shfaqja që vjen premierë në Teatrin Kombëtar, është ndërtuar mbi të dhëna të dala nga hulumitmet në dosjet e Ish-Sigurimit, sikundër edhe nga dënimet e artistëve të shumtë në diktaturë, duke nisur që nga ata që i dhanë jetë shfaqjeve teatrale.
“Ka pasur artistë të teatrit të dënuar në diktaturë, por shfaqja nuk bazohet në jetën e një emri të caktuar, por është një hulumtim artistik mbi te shkuarën”, thotë Gongo.
Elementet e shfaqjes e çojnë ish-Sigurimin brenda një shtëpie dhe e vënë mes një çifti. Autori dhe regjisori Gongo e ka sjellë ish Sigurimin si një institucion strategësh, ndonëse studiuesit kanë vënë në dukje mangësitë, mungesën e edukimit, shkollimit dhe kultivimit të atyre që punonin në Sigurim. Për këtë ai e ka një shpjegim.
“Struktura e pushtetit ka qenë e sofistikuar. Jam mahnitur nga teknikat e sigurimit, janë brilante”, thotë ai duke i përdorur këta përcaktorë për shkallën e manipulimit që dosjet kanë dhe shpesh duke vënë në dukje edhe aftësitë manipuluese të diktatorit. Sado që termat sërish krijojnë parehati në komunikimin publik mbi të shkuarën, ose krijojnë keqkuptim a devijim mbi atë që e shkuara ishte- shtypja kishte efekt më “bindës” se sa manipulimi përmes fjalimeve- Gongo, i gjen këta terma përshkrues të një institucioni e sistemi ku frika orientonte qëndrimet publike dhe jopublike.
Shfaqja megjithëkëtë, është një përpjekje për të demontuar propagandën komuniste dhe vetë nostalgjinë mbi të, sepse sipas Gongon, “arti është ai që i afrohet më së shumti të vërtetës”.
Duke ia kushtuar këtë shfaqje, “atyre që mbeten njerëz”, ai fton publikun të ndjekë pjesën që përmes pak personazheve, një skenografie të thjeshtë përcjell mesazhe mbi sistemet dhe heshtjet e atyre që nuk folën.
Aktori Helidon Fino, që interpreton shkrimtarin e njohur i cili bëhet bashkëpunëtor i sigurimit me detyrim, u jep jetë dilemat jetike të personazhit.
“Në fund fiton materia dhe morali i shkrimtarit. Tashmë, pikëpyetja e madhe është naiviteti i atyre që besuan. Dishepujt e ideologjisë dhe ata që nuk e kuptonin”, thotë ai, duke besuar se arti denoncon të shkuarën.
Aktori Neritan Liçaj, në rolin e një piktori që fle me Modiglianin e zgjohet me realizmin socialist, portretizon njeriun që thyhet, për të shpëtuar veten, për të pasur privilegje, për një zyrë më të madhe. “Shfaqja ka një monolog që është mjaft domethënës. Personazhi i operativit të Sigurimit, thotë se nuk do të një fitore të vogël, por një kryevepër që jeton edhe kur pushteti vdes dhe kjo e tregon qartë çfarë ndodhi dhe pasojat e asaj kryevepre që jeton ende sot kur pushteti ka rënë”, thotë Liçaj.
Ndërsa pjesë denoncon maskën dhe hipokrizinë, mesazhi i saj është si të ruash individin brenda një turme.
Premiera e shfaqjes “Turjela”, që u ngjit në Teatrin Kombëtar vë në peshore kompromiset, kontradiktat e betejat./balkanweb/ KultPlus.com