4 Shkurt, 2025 - 7:00 pm
Gjatë muajit shkurt ‘Artpolis’ ka njoftuar se do të mbahet një premierë teatrore “Vojçeku” me regji të Zana Hoxhës.
Shfaqja “Vojçeku”, e bazuar në dramën origjinale të Georg Büchner, është një portret i fuqishëm dhe thellësisht emocional i vuajtjes njerëzore dhe efektit shkatërrues të padrejtësive shoqërore. Në adaptimin e Jack Thorne (një prej dramaturgëve anglez më të inskenuar momentalisht), historia vendoset në një realitet të dhimbshëm dhe brutal ku kufijtë midis dëshpërimit, dashurisë dhe çmendurisë, zhduken.
Vojçek, një ushtar i varfër dhe i shtypur, përballet me realitetin e zymtë të jetës së tij: mungesa e sigurisë financiare, shfrytëzimi nga eprorët dhe degradimi si objekt eksperimentesh mjekësore.
Ai përpiqet të sigurojë jetesën për gruan e tij Marian dhe fëmijën e tyre të vogël, por presioni i varfërisë dhe dhuna psikologjike fillojnë ta çojnë drejt shpërbërjes mendore.
Autor: Georg Büchner, Adaptimi: Jack Thorne
Regjisore: Zana Hoxha/ KultPlus.com