Shfaqja “Zgjimi i Pranverës” nga Zana Hoxha u prezantua në Slloveni, e pranishme edhe presidentja Osmani

6 Korrik, 2022 - 2:55 pm

Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës”, me regji të Zana Hoxhës, u prezantua edhe para publikut në Slloveni.

Përveç presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, prezente në këtë ngjarje ishte edhe ministrja e Kulturës së Sllovenisë, Asta Vrečko.

Me regji të Zana Hoxhës kryevepra e autorit Frank Wedekind “Zgjimi i Pranverës” është adaptuar në Kosovën e viteve të ’90-ta.

Nevoja e të rinjve për të kuptuar dhe për t’u kuptuar ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë, sidomos historia që i ka përcjellë të rinjtë tanë në vitet e ’90-ta, kohë protestash e rezistence, kohë kur liria kolektive dhe personale ishte e kufizuar nga regjimi politik i Millosheviqit dhe patriarkati, përderisa solidariteti mbante gjallë frymën e rezistencës kolektive.

Rinia dhe nevojat e natyrshme të rinisë nuk kanë qenë prioritet andaj edhe informacionet për seksualitetin, ndjenjat, dashuria e përvojat e tyre kanë qenë të limituara dhe të neglizhuara nga familja, shkolla e shoqëria. Dhuna në shkollë, abuzimi fizik dhe seksual, paragjykimet, shtatzënia e paplanifikuar dhe aborti kanë qenë dhe mbesin probleme reale të shoqërisë sonë kosovare.

Kjo shfaqje, duke përfshirë të gjithë krijuesit e saj, i dedikohet të gjithë të adoleshentëve të rënë në vitin 1998-1999 në luftën e fundit në Kosovë.

 Në shfaqje luajnë aktorët: Hajat Toçilla, Valmir Krasniqi, Labinot Raci, Arta Muçaj, Shkelzen Veseli, Semira Latifi, Shpetim Kastrati, Zhaneta Xhemajli, Verona Koxha, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi.

Shfaqja rreth vetës ka grumbulluar një grup profesionalistësh që u kujdesën për secilin detaj. Muzikantët: Alzan Gashi, Arbër Salihu & Drin Tashi, koreografia: Robert Nuha, kostumegrafia: Yllka Brada, skenografia: Youliana Voykova – Najman, inspicient: Bajram Mehemtaj dhe asistente: Elira A Lluka. / KultPlus.com

Të ngjajshme