Shfaqjet në Teatrin Kombëtar javën e parë të shkurtit

3 Shkurt, 2025 - 4:46 pm

Kjo javë e muajit shkurt do të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar (Tiranë) disa aktivitete. Përveç shfaqjeve teatrale, “ArTurbina” gjatë kësaj jave do të vihet në dispozicion edhe të një shfaqjeje të artistëve të Cirkut Kombëtar.

Komedia “Fundjava”, me regji nga Elma Dorezi është shkruar nga Norm Foster, do të rikthehet në Teatrin Kombëtar.

Gjatë një vizite në fundjavë mes dy çifteve, natyra e vërtetë e marrëdhënieve të tyre del në sipërfaqe ndërsa katër të ashtuquajturit “miqtë më të mirë” zbulojnë ngadalë se si ndihen vërtetë dhe çfarë mendojnë për njëri-tjetrin.

“Fundjava” është një ndërthurje e të qeshurës dhe të vërtetës, mashtrimit dhe surprizave, që e lë audiencën të hamendësojë dhe të qeshë deri në fjalën e fundit. Tek “Fundjava” interpretojnë: Helidon Fino, Monika Lubonja, Arjola Demiri, Klodian Hoxha. Komedia do të shfaqet nga data 6 deri më 9 shkurt.

Më 8 dhe 9 shkurt, orari i paradites në “ArTurbina” i është rezervuar publikut të Cirkut Kombëtar.

Ndërkohë që ka edhe një rikthim tjetër në skenën e TK të shfaqjes “Fausti”, me regji të Davide Iodice.

“Fausti” u shfaq edhe gjatë vitit 2024 dhe mori vlerësime. Regjisori italian Iodice veç regjisë së “Faustit”, ka marrë përsipër edhe përshtatjen, skenografinë e kostumet./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme