Shkarkohet nga detyra Monika Lubonja, drejtoresha e Teatrit të Kukullave

16 Mars, 2018 - 5:54 pm

Shkarkohet nga detyra drejtoresha e Teatrit të Kukullave, Monika Lubonja.

Ministria e Kulturës nëpërmjet një njoftimi zyrtar bën me dije se ka shpallur konkursin për personat e interesuar dhe që plotësojnë kriteret për të zëvendësuar Lubonjën në postin e Drejtorit të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave.

Aplikimi dhe dorëzimi i dokumenteve bëhet brenda datës 13 prill, pranë Zyrës së Protokollit, në Ministrinë e Kulturës.

Por shkarkimi i Lubonjës vjen pas një hetimi të nisur prej saj, pas denoncimit në emisionin investigativ “Boom”.

Kjo pasi në emision u transmetua dhe denoncua mënyra se si shiteshin për interes të aktiviteteve private repertori i shfaqjeve të Teatrit të Kukullave.

Po ashtu edhe fakti se si çelësat e këtij institucioni i ishin besuar një gazetashitësi që kishte tezgën e tij pranë këtij institucioni dhe se si kushtet e sigurisë në Teatrin e Kukullave vinin në rrezik fëmijët.

Gjithashtu u denoncuan edhe kupat e shpërndara me rastin e 70 vjetorit të Qendrës së Fëmijëve, të drejtuar nga Monika Lubonja. Tenderi i këtyre kupave, u zhvillua 1 javë pas aktivitetit, ku mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës. / KultPlus.com

Të ngjajshme