16 Shtator, 2024 - 12:54 pm
Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së, nga sot ka filluar vonesën e provave prej dhjetë minutave, dhe ky hap është paralajmërim i përshkallëzimit të grevës, deri në realizimin e kërkesave të aktorëve të këtij institucioni, sipas të cilëve është përmirësimi i koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
KultPlus më poshtë ju sjell të plotë njoftimin e Sindikatës.
Bazuar në nenin 44 paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovss (për lirinë dhe organizimin sindikal), Nenit 89 të ligjit të punës, nenit 27 të ligjit për organizim sindikal, ligjit për greva nr.03/L-200; Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së, në takimin e radhës të mbajtur më 04.09.2024, ka analizuar të gjitha proceset e deritashme që lidhen me përmirësimin e koeficientëve të pagave për aktorët e trupës rezidente dhe të punëtorëve të TKK-së, dhe ka marrë vendim që përmes kësaj letre t’ua ua rikujtoj mospërfilljen dhe mospërmbushjen e obligimeve nga ana e MKRS për hartimin dhe miratimin e rregullores për organizimin e brendshëm të pozitave në TKK, as pas 18 muajve.
Vendimi për ndërmarrjen e masave sindikale nga anëtarët e shoqatës vije pas mospërfilljes 18 mujore të kërkesave tona dhe mosrealizimit të premtimeve nga ana e MKRS-së, duke konsideruar se janë shtjerrur të gjitha format e tjera për realizimin e kërkesave tona, andaj ju njoftojmë me vendimin e marrë:
Njoftim
Ju njoftojmë se Shoqata Sindikale e Artistëve te Teatrit Kombëtar te Kosovës në përputhje me të gjitha rregulloret dhe ligjet përkatëse, ka marrë vendim që sot, me datë 16.09.2024, të filloj zyrtarisht zbatimin e hapave sindikal me: Fillimi i provave me 10 minuta vonesë.
Ky hap është vetëm fillimi i hapave që do të ndërmarrim ashtu siq kemi paralajmëruar në letrën e dërguar ministrit të kulturës të datës 09.09.2024. Hapat sindikal do të përshkallëzohen javë pas jave deri në realizimin e kërkesës tonë: Permiresimin e koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Kërkesën tonë e bazojmë në përgatitjen profesionale të trupës sonë; shkallën e përgjegjësisë; specifikat e vendit të punës; volumin e madh të punës; punës pa orar e cila arrinë edhe deri në 16 orë punë në ditë; punës gjatë vikendeve dhe festave zyrtare për shkak të kërkesave specifike të punës; kalendarit të ngjeshur të aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit; numrit të reprizave (rreth 150 repriza gjatë një stinori artistik); numrit të shikuesve që është trefishuar duke qene institucioni i kulturës me më së shumti vizitorë, dhe mbi të gjitha, rëndësisë së institucionit të TKK-së duke qenë institucioni më i lartë kulturor në vend.
Përvec këtyre, sot aktori i TKK-së, pavarësisht kualifikimit superior, ka pagë të barabart edhe me punëtorët teknik teatrove të qyteteve.
Aktorët e TKK- së janë e vetmja kategori jo që nuk ka përfituar, por janë diskriminuar me Ligjin për paga dhe kanë të ardhurat më të vogla në rajon. Nëse e marrim vetëm Shqipërinë, aktorët e të cilit shtet na kishin lakmi dje, sot të njejtin në Teatrin Kombëtar të Tiranës gëzojnë dyfishin duke arritur pagë deri në 1500 euro. Pagë kjo në nivel universitar ashtu sic e kanë edhe Teatrot Kombëtare në vendet tjera të e rajonit dhe njashtu sic kemi kërkuar edhe ne që prej themelimit.
SHSATKK, është e bindur se kërkesat e parashtruara janë plotësisht ligjore dhe legjitime, lehtë të korigjueshme sikur të ketë vullnet nga ana e MKRS-së.
Në të ardhmen, SHSATKK do të angazhohet dhe do të jetë partner i institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht i MKRS-së, duke luajtur rol aktiv në përmirësimin e kushteve për performuesit e artit deri në hartimin e Ligjit të veçantë për performuesit e artit në Republikën e Kosovës.
Me respekt,
Sheqerije Bucaj,
Ksryetare e SHSATKK,
Prishtinë, 16.09.2024/ KultPlus.com