25 Shtator, 2018 - 4:21 pm
Gili Hoxhaj
Ky vit shënon 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe është shpallur si “Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit- Skënderbeu”. Bazuar në elemente të jetës së heroit kombëtar, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, nesër për publikun do të sjellin koreodramën “Kumt” me autor Gjergj Prevazi, shkruan KultPlus.
Drejtori i ansamblit “Shota”, Shefqet Gjocaj sot në një konferencë të mbajtur për media, u shpreh se kjo koroedramë ka qenë iniciativë qysh nga fillimi i vitit. Kjo punë e cila vjen në një format të ri e promovon edhe e avancon punën artistike të ansamblit “Shota”.
“Ideja ishe edhe e Këshillit artistik, po ashtu ideja ishte që këtë shfaqje ta punojë profesori Prevazi dhe jemi të lumtur që ky ka gjetur kohë. Me gjithë vështirësitë që kemi pasur si ansambël, besoj se ia kemi arritur qëllimit dhe jemi të lumtur që premiera po realizohet me kohën ashtu siç kemi premtuar”, u shpreh Gjocaj.
Koreografi dhe regjisori i shfaqjes Gjergj Prevazi tha se për çdo autor është një sfidë e madhe të merret me heroin e një kombi, veçmas me një figurë të jashtëzakonshme siç ishte Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Ai tha se me këtë shfaqje, ai sjellë një formë që është më e pranishme në skenat evropiane.
“Kam gjetur një formë skenike e cila do t’i përshtatet me një qasje ndryshe nga që jemi mësuar ne zakonisht t’i trajtojmë figurat heroike. Me këtë shfaqje unë i qasem një forme që është gjithnjë e më e pranishme në skenat evropiane, e që i përket estetikës së folkut kontoperan, pra është një shfaqje e cila merr elementet bazike tradicionale, folklorike por me një qasje që sheh nga syri i sotëm bashkëkohor”, tha Prevazi .
Prevazi tutje u shpreh se sfida e dytë e madhe ka qenë sfida e vetë trupës së ansamblit “Shota”, pasi që do të sjellin një format që nuk është shumë i zakonshëm.
“Ju nuk do të shikoni nesër një shfaqje të formatit të përhershëm “këngë, valle, këngë, valle, këngë, valle” por është një koncept më i gjerë, me një qasje më teatrale, pasi që ka një temë, një fabul e cila nuk vjen në formë narrative por si kalim në një gjendje”, u shpreh Prevazi.
Për shfaqjen është kompozuar muzikë e re nga Valton Beqiri. Ai tha se roli i muzikës në shfaqje të tilla është rol që duhet të jetë i inkorporuar në mendimet dhe vizionin e regjisorit. Gërshetimi i elementeve të traditës me atë më moderne, ai tha se shfaqjes i kanë dhënë një karakter të një shoqërie më të lartë çfarë edhe ka qenë shoqëria e Skënderbeut në atë kohë.
“Jam munduar të jem sa më afër mendimit të regjisorit. Sfida ka qenë më shumë në qasjen e këngëve të ndryshme pasi që e gjithë shfaqja ndahet në dy pjesë në atë bazike që është pjesa e parë që e formëson karakterin e Skënderbeut dhe pjesa e dytë ajo e dasmës dhe e kemi menduar se si do të ishte një dasmë e një Skënderbeu të sotëm dhe e vetmja mënyrë është që ai do të ftonte mysafirë nga gjithë trevat shqiptare, pra kemi blloqe të ndryshme të këngëve nga të gjitha trojet shqiptare”, tregoi Beqiri sot në konferencën për media.
Drejtori artistik Ylber Asllanaj i falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët në këtë shfaqje, ndërsa tha se ka qenë një sfidë, të cilën e kanë marrë me guxim dhe kanë kaluar standardin me të cilin është mësuar publiku t’i shoh.
Në rolet kryesore janë Besnik Grajçevci i cili do të përfaqësoj rolin e heroit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut kurse në rolin e Donika Kastriotit do ta luaj një valltare e re Artiola Shala. Ata u shprehën të privilegjuar që do të përfaqësojnë këto dy figura të rëndësishme historike.
Po ashtu edhe tek veshjet do të gërshetohen elemente të veshjeve tradicionale me ato moderne, të gjitha të punuara nga Vesa Kraja.
Premiera e koreodramës do të mbahet më 26.09.2018 me fillim nga ora 20:00 në sallën e TKK./ KultPlus.com