Sinan Kajtazi jetësoi bindshëm dëshirën e fundit të Osman Takës

7 Dhjetor, 2018 - 1:53 pm

Gili Hoxhaj

Sinan Kajtazi, me lëvizjet e tij jo rrallë ka dërguar në Evropë mesazhe të historisë së vendit të tij, ndërsa në Prishtinë ka bartur jo dhe pak role që flasin për histori nga vende të ndryshme të botës.
Në rreth 50 premiera, publiku i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka arritur të identifikojë lojën e tij që ka përfaqësuar kërkesat e koreografëve nga vende të ndryshme të botës.

Premiera e fundit për këtë vit e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës shënoi hapin e parë të Kajtazit në koreografi. Trupa me të cilën Kajtazi është rritur profesionalisht dëshmoi një dinamizëm në lëvizjet e muzikën e projektuar nga Kajtazi.

Kur salla errësohet, një dritë e zbehtë i bën të identifikueshëm trupat e balerinëve që nisin të mbushin skenën por ajo që të rrëmben fillimisht është muzika. Tingujt e klarinetës me muzikën ritmike në përputhje me përplasjet e trupave mes vete shpesh nuk iknin nga njëra-tjetra por bashkëdyzoheshin duke dhënë një eksperiencë të veçantë për publikun që kishte zënë çdo ulëse të teatrit.

Që në fillim publiku shkon në jug të Shqipërisë, e sjellë ndërmend hijeshinë e hapave të Osman Takës, i cili kishte pasur vetëm një dëshirë që në momentet e fundit të jetës të ndjehet i lirë pranë litarit. Vallja e Osman Takës është një nga më të bukurat jo vetëm të Çamërisë por të gjithë botës shqiptare dhe mbarë Ballkanit. Osman Taka ishte një nga luftëtarët kryesorë të degës çame të Lidhjes së Prizrenit me qendër në Prevezë që u kap rob në luftë me osmanët. Hijeshia me të cilën e ka luajtur këtë valle përpara se të varej në litar ka bërë që t’i falej jeta e vallja të marrë emrin e tij.

Eleganca e valles kur burrat kapen në trajtë shkalle erdhi mbrëmë edhe përmes lojës së balerinëve që me kostumet e punuara nga Vesa Kraja të kujtonin fustanellat e valltarëve çam.
Përmes lojës së balerinëve, Kajtazi kishte gdhendur personalitetin e Osman Takës duke e përshkruar si simbol të vallëzimit, sakrificës për të tjerët e sinonim i rezistencës, protestës e filmimit.

Një çast errësire e kthen përsëri publikun drejt skenës, derisa dëgjohen zërat që përsërisin radhazi emrin e Osmanit. Zërat duken sikur vijnë nga çdo pjesë e sallës, e sytë tashmë janë të fokusuar tek trupi i Osman Takës (Fatmir Smani) që është varur në litar.

Koreografi Sinan Kajtazi i cili i përket gjeneratës së parë të balerinëve tha për KultPlus se gjithnjë historia e Osman Takës i ka ngjallur emocion andaj ka dashur edhe ta sjellë në shfaqjen e tij të parë. Ai thotë se që në fillim tregohet se Osman Taka ka qenë një person i protestës, i sakrificës, i cili ka përçuar një ideal për të mirën e përbashkët. Tashmë që gati një vit, Kajtazi është përkushtuar në krijimin e muzikës së shfaqjes ndërsa thotë se ka përfshirë muzikë të jugut duke e lidhur me historinë e Osman Takës por duke gërshetuar edhe pjesë ritmike për t’i përshtatur me vallëzimin e balerinëve.
“Nuk kam mundur ta përcjellë tërësisht shfaqjen sepse kam qenë prapa duke u kujdesur edhe për anën teknike por një gjë e di që Baleti Kombëtar i Kosovës e ka dhënë më të mirën prej vetes sonte dhe gjithë stafi teknik-artistik përcjellës”, tha ndër të tjera Kajtazi.

Publiku qëndroi më gjatë në sallë ku dha duartrokitje të fuqishme për trupën e BKK-së e koreografin Kajtazi, të cilët për disa herë radhazi u kthyen në shenjë falënderimi për ta. Duartrokitjet vijnë edhe më të fuqishme kur në skenë ngjitet drejtori i kësaj trupe, Ahmet Brahimaj i cili mes emocionesh duartrokitjet e gjithë sallës mori urimet për ditëlindjen e 65-të tij. Brahimaj është emëruar shef i baletit në vitin 1985 ndërsa është njeriu kyç i rithemelimit të Shkollës së Baletit respektivisht Baletit të Kosovës. Ai tha për KultPlus se mbrëmjen e kaluar, e konsideron si një sukses të përbashkët me gjithë trupën e baletit me të cilën bashkëpunojnë tash e 20 vite. Për koreografinë e Kajtazit, Brahimaj thotë se ai mbrëmë dëshmoi që nuk është vetëm një balerin i mirë por dhe një koreograf shumë i mirë.

“Jam i lumtur që kemi arritur ta bëjmë një trupë atraktive që ka vlera të mëdha artistike dhe po jep kontribut edhe në qendra të tjera evropiane që ta njohin këtë vend edhe nga ana artistike. Unë u uroj suksese më tutje, armiku i tyre më i madh është egoizmi, nëse e ushqejnë atë e shkatërrojnë trupën për të cilën kemi dhënë shumë mund”, u shpreh Brahimaj. Ai pati një porosi për Ministrinë e Kulturës duke thënë se shpreson që tash e tutje të mos vazhdojë pengimin e funksionimit të kësaj trupe, me të cilën përkundrazi do duhej të tregonte më shumë përkrahje.

Hideki Murakami nga Japonia jeton tash e pesë vite në Prishtinë ndërsa nuk ka as edhe një shfaqje baleti që nuk e ka përcjellë këto vite. Ai është një nga të fundit që del nga holli i teatrit. Largohet vetëm pasi arrin që ta përshëndesë Kajtazin e ta përgëzoë për shfaqjen.
Ai tregoi për KultPlus se me baletin si vallëzim artistik është familjarizuar në Kosovë ndërsa thotë se nuk e ka përcjellur atë edhe në Japoni.
“I përcjell zakonisht njoftimet e baletit në Facebook dhe vij ta shoh çdo shfaqje. Këtu jam mësuar të shijoj lëvizjet e trupave në vallëzim. Shfaqja sonte ishte shumë e mirë, veçmas muzika, valltarët dhe ajo që ata dhuruan me vallëzimin e tyre. Më ka lënë përshtypje pjesa e fundit kur personazhi kryesor varet lart, edhe pse është e dhimbshme është edhe shumë impresionuese”, shprehet Murakami për KultPlus.

Januz Beqiraj, profesor i disa prej balerinëve të Trupës së Baletit Kombëtar vjen në secilën premierë të tyre për ta parë punën e këtyre balerinëve, të cilëve është munduar t’ua japë më të mirën nga përvoja e tij. Ai tha se mbrëmë duartrokitjet e publikut treguan më së miri se kush është baleti i Kosovës dhe e ardhmja e kësaj trupe u dëshmua në koreografinë e Teuta Krasniqit që është shfaqur me premierë në fillim të këtij viti dhe koreografinë e Sinan Kajtazit për të cilin tha se tregoi mbrëmë se di të bëjë koreografi të përmasave të koreografëve të njohur botëror.
“Deri tani i kam thënë “Sinan djali”, tani do t’i them “Sinan burri” sepse me këtë shfaqje tregoi se ka arritur edhe pjekurinë profesionale”, u shpreh Beqiraj mbrëmë pas shfaqjes.

Shfaqja “O.Taka” sonte vjen me reprizën e parë, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme