Sinan Kajtazi, koreografi i cili ndërlidhë dy dashuritë e tij në shfaqjen ‘O.TAKA’

2 Nëntor, 2018 - 2:53 pm

Alberina Haxhijaj

Balerini Sinan Kajtazi është rritur në skenën e Teatrit Kombëtar. Dërrasat e kësaj skene kanë pritur qindra kërcime të tij dhe qindra duartrokitje që kanë ardhur nga publiku. Mbi supet e tij qëndrojnë më shumë se 50 shfaqje.

I diplomuar në vitin 2005, në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova”, Kajtazi edhe gjatë shkollimit kishte marrë pjesë nëpër shfaqje të Trupës së Baletit. Pjesë e gjeneratës së parë të balerinëve pas luftës, balerini Sinan Kajtazi përmes karizmit të tij, elegancës dhe precizitetit në hapat që hedh, dëshmon punën dhe përkushtimin që ka si balerin, një titull të cilin është vështirë ta mbash në Kosovë krahas dhjetëra sfidave.

“Ja vlen jetën me ja përkushtu këtij profesioni” thekson ai derisa tregon për KultPlus detajet nga shfaqja “O. TAKA”, koreografinë e së cilës është duke e realizuar vetë ai. Shfaqja e cila ka filluar që të vihet në jetë nga Trupa e Baletit të Kosovës, është një histori e vërtetë që vjen nga Jugu i Shqipërisë e që merr elemente nga çdo balerin që është pjesë e këtij projekti, duke e kthyer këtë shfaqje në një shfaqje aktuale që shpërfaqë dashurinë për këtë profesion dhe mundohet të gjejë përgjigje rreth pyetjes se a mund të jetë baleti shpëtim.

Një personazh i cili ka qenë një funksionar në fund të Perandorisë Osmane, Osman Taka, i cili për shkak të aktivitetit të tij politik dhe pasi i takon në familje patriotike shqiptare shumë të njohur të kohës, dënohet me varje. Osman Taka, i njohur në rrethin ku ka jetuar si një valltar i jashtëzakonshme, dëshirë të fundit e ka që ti lejohet që të vallëzojë.

“Thuhet që ka vallëzuar aq bukur në sheshvarje sa ia kanë falur jetën, pra ka qenë një valltar hipnotizues. Si valle është valle popullore shumë e njohur, në Shqipëri e kërcejnë shumë shpesh edhe te Ansambli Shtetëror, kurse si balet, si dramë apo film nuk kam dëgjuar që është realizuar”, tregon koreografi i shfaqjes, Sinan Kajtazi. Sipas tij kjo histori ka potencial për të sjellë në skenë diçka interesante dhe të re e që mendon se do të pritet mirë edhe nga publiku.

“Do të përpiqem që si temë ta shndërroj në diçka aktuale pasi fatkeqësisht edhe sot ne si balerinë jemi të dënuar në forma të ndryshme, duke përmendur këtu se jemi të detyruar që të punojmë në kushte të vështira me shumë sfida. Ajo çka ne bëjmë shpeshherë edhe na ka shpëtuar. Në shfaqje jam duke punuar akoma sidomos në pjesën e fundit. Mendoj se Osman Taka nuk ka gjetur shpëtim pasi pas një periudhe që është falur ai prapë është vrarë në pritë. Ngjarjen e Osmanit e kam si bosht për realizimin e kësaj shfaqjeje”, u shpreh ai.

Sinan Kajtazi përveç krijimit të koreografisë është duke punuar edhe me muzikën e shfaqjes.

“Do të ishte për mua e pafalshme sikur të mos ia krijoja shfaqjes time edhe muzikën”, thekson ai. Këtu duhet potencuar se ai ka përfunduar edhe Akademinë e muzikës për klarinetë. Po ashtu ai ka edhe një studio të muzikës në shtëpi ku punon çdo ditë. Aty ai e kalon kohën e lirë që e ka kur nuk është duke u marrë me balet. Për Kajtazin muzika është pjesë e pandashme e baletit.

“Baleti dhe muzika me kanë përcjellë dhe vazhdojnë të më përcjellin së bashku. Ato asnjëherë nuk kanë interferuar te njëra tjetra. Për muzikën e kësaj shfaqjeje, jam përpjekur që të bëj një kombinim të ritmit, jam munduar që të krijoj një muzikë sa më dinamike. Nuk ka qenë e lehtë me e marrë si hap jo për faktin se nuk kam krijuar muzikë më herët por se është hera e parë që po krijoj muzikë për teatër. Jam nisur nga ajo se e di çfarë i duhet kësaj shfaqjeje dhe i njoh balerinët, e di se çfarë u fle në shpirt”, tregoi ai për KultPlus.

Balerini Sinan Kajtazi i cili baletin klasik e ka më për zemër, në shfaqjen O.TAKA do të sjellë më shumë lëvizje moderne.

“Baleti pra do jetë më shumë me lëvizje moderne edhe pse mund të ketë edhe nuanca të tjera. Jemi duke u munduar që të gjejmë edhe elemente edhe motive folklorike”, theksoi ai.

Kujtojmë se nga kjo Trupë e Balerinëve, balerini Sinan Kajtazi është i dyti që po realizon koreografinë për një shfaqje. Balerina Teuta Krasniqi ka sjellë në rolin e koreografes, në shkurt të këtij viti shfaqjen “Pa Mure”. Sipas Kajtazit puna e koreografëve të njohur të cilët kanë punuar së bashku me trupën ka shërbyer si një shkollë, për të marrë hapat bazë e për të sjellë shfaqje që do mbajnë të vulosur emrin e tyre si koreografë.

“Gjithmonë e them se Baleti i Kosovës ka qenë me fat që ka punuar me artistë të ndryshëm nga e gjithë bota. Të gjithë këta koreografë përveç shfaqjeve të suksesshme që kanë sjellë e që janë vlerësuar nga publiku si të tilla, kanë lënë edhe gjurmë si në aspektin artistik por edhe në aspektin teknik tek të gjithë ne. Të gjithë ne kemi pasur se çfarë të mësojmë nga këta mjeshtër të mëdhenj”, tha ai.

Premiera e Shfaqjes “O.TAKA” do të jetë më 6 dhjetor. Pjesë e kësaj shfaqje do të jenë balerinët: Abetare Hyseni, Aulona Nuhiu, Besarta Shaljani, Donmir Bilalli,
Drilon Podrimçaku, Elmedina Berisha, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Liridon Mziu, Luljeta Ademi, Marigona Hoxha, Mergime Morina, Mimoza Bytyqi, Muhamet Bikliqi, Niki Musolli, Nora Gashi, Sead Vuniqi, Teuta Krasniqi, Vjollca Llugiqi, Vlora Prizreni. Kostumet janë realizuar nga Vesa Kraja ndërsa skenografia nga Aziz Maloku./ KultPlus.com

Të ngjajshme