24 Mars, 2019 - 6:23 pm
Sot, në shënimin e 20-të vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë e Serbi, gazetarja amerikane Valerie Plesch ka realizuar një artikull për median ndërkombëtare Al Jazeera-n. Shkrimi me titull “20 vite nga bombardimet e NATO-s, ndjenja të përziera në Kosovë”, përfshin pesë rrëfime të ndryshme për atë kohë, shkruan KultPlus.
Në pesë rrëfimet për kohën e bombardimeve të NATO-s, artikulli përfshin edhe kujtimet e balerinit Sinan Kajtazi, i cili aktualisht është ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës.
“Gjatë ditës, më 24 mars ne dëgjuam në lajme se sekretari i përgjithshëm i NATO-s e e kishte dhënë dritën gjelbër për fillimin e bombardimeve pasi nuk po arrinin të bënin një marrëveshje [me Sllobodan Millosheviçin]”, thotë fillimisht balerini Kajtazi.
Kajtazi në rrëfimin e tij tregon se ishte veç 12 vjeçar kur filluan sulmet ajrore të NATO-s, ai thotë se në atë kohë nuk kuptonte shumë gjëra dhe kishte ndjenja të përziera rreth asaj që po ndodhte.
“Isha 12 vjeç, nuk kuptova shumë gjëra, por si fëmijë, kisha ndjenja të përziera. Nuk e dija nëse duhet të ndihem i lumtur apo duhet të kem frikë, a nënkuptonte kjo diçka të keqe apo të mirë?. Ishte errët kur ata filluan të bombardonin. Me fqinjët dhe familjarët po kontaktonin përmes telefonit – thonin se është më mirë të mbuloheshin dritaret me batanije, për të fshehur dritën brenda shtëpive”, shprehet Kajtazi për Al Jazeeran, përcjell KultPlus.
“Pas një ore, familjarët e mij thanë se është më mirë nëse shkojmë në shtëpinë e fqinjit, është më mirë nëse jemi më shumë njerëz së bashku, pra nuk morën asgjë me vete. Ishte natë, [kemi ecur] drejt shtëpisë së fqinjit tonë, që ishte rreth 200 metra nga shtëpia jonë. Gjatë mesit të rrugës, kishte një shpërthim të madh në ajër. Ne nuk e dinim se çfarë ishte, por të gjithë kishin frikë dhe ndjeheshim në panik, kështu që ne shkuam në shtëpinë e fqinjit dhe ne fjetëm të gjithë së bashku atë natë”, thotë Kajtazi.
Bombardimet filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për një marrëveshje paqësore me Beogradin. Pasi dështuan edhe përpjekjet e fundit të ndërmjetësuesit të atëhershëm amerikan Richard Holbrooke, bombardimet filluan më 24 mars 1999 në orën 20:00. Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi t’i tërheqë trupat nga Kosova. / KultPlus.com