1 Gusht, 2019 - 8:30 pm
Sipërfaqja e Teatrit Kombëtar jo vetëm që nuk preket, por i shtohen edhe 8.000 metra katrorë.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, teksa ka publikuar edhe një video ku nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, kryetari i këshillit bashkiak, Toni Gogu dhe anëtarë të rinj të këshillit, panë dje nga afër gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhet kjo hapësirë në qendër të kryeqytetit.
“Sipërfaqja e Teatrit Kombëtar jo vetëm që nuk preket, por i shtohen edhe 8.000 metra katrorë! Populiti, materiali me të cilin është ndërtuar ky teatër, as nuk mund të riparohet e as mund të rikonstruktohet”, shprehet Rama duke theksuar se “Tiranës i duhet dhe do të ketë, Teatrin Kombëtar që meriton”.
Gjatë inspektimit, Mazniku u shpreh se “sipërfaqja që i përket sot Teatrit Kombëtar nuk do të preket dhe do t’i mbetet teatrit dhe artistëve”.
“Pamë edhe materialin me të cilin është ndërtuar ndërtesa e teatrit, pupuliti i famshëm, i cili është bërë pothuajse një shekull më parë, por provë e qartë e faktit se kjo ndërtesë në mënyrën se si është bërë nuk ka asnjë mundësi dhe shans të funksionojë apo të qëndrojë në kohë, apo të riparohet a të ristrukturohet”, tha ai.
Mazniku tha se “përveç faktit që nga ana strukturore, nga ana funksionale, edhe nga ana e sallave, mjediseve ndihmëse për artistët, teatri nuk ka asnjë mundësi funksionale për të qenë një teatër i mirëfilltë modern, që t’i japë mundësinë qytetit të ketë ato vepra për të cilat ka nevojë”.
Ai theksoi se falë këtij projekti, do të përfitohen më shumë se 8000 metra katrorë ndërtim për Teatrin e Ri, i cili do të jetë sipas standardeve më të mira të një teatri kombëtar.