10 Prill, 2019 - 1:00 pm
Regjisori Qëndrim Rijani do të vendosë për herë të parë një operë shqiptare në Teatrin e Operas dhe Baletit në Maqedoninë e Veriut.
Regjisori zbuloi se po punon prej tre vitesh së bashku me Fatos Lumanin dhe Arian Krasniqin për të sjellë operën “Skënderbeu”.
Në një bisedë për “RTV Ora”, Rijani tha se kjo do dëshmojë arritjen e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj.
“Opera e Skënderbeut është një hap shumë i rëndësishëm. Kam dy vite që po punoj me të dhe është hera e parë që po e them publikisht. Unë, Fatos Lumani dhe Arian Krasniqi, jemi duke bërë një opera me emrin ‘Skënderbeu’. Dy vite punë, do jetë opera e parë shqiptare në teatrin e Operas në Maqedonisë. Në historinë e Teatrit të Operas dhe Baletit të Maqedonisë deri në sot nuk është vendosur asnjë opera shqiptare”, ka thënë ai.
Sipas regjisorit Rijani, ende nuk është çarë kjo tabu deri në fund atje brenda, por shprehet i bindur se do arrihet.
“Akti në vetvete do dëshmojë, nëse ne arrijmë si shqiptarë të Maqedonisë të jemi në stadin më të lartë kulturor, në shkallën më të lartë të një niveli kulturor të përfaqësuar denjësisht atëherë mund të flasim me teorinë e evropianizimit dhe arritjen e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë”, theksoi Rijani. / KultPlus.com