“Skupifestival” fillon me 17 shtator

15 Shtator, 2020 - 6:20 pm

FNT Skupifestival, do nis edicionin e 14 me radhë nga data 17  deri më 22 shtator. Hapja solemne do të bëhet në hapësirat e Kurshumli Han-it.

Në njoftimi e bërë nga ana e organizatorëve tregohet se në natën e parë të festivalit do të jepet shfaqja ‘Kutia e Zezë’ nga Paolo Genovese e inskenuar nga teatri  Migjeni nga Shkodra.

Gjithashtu në këtë vit i gjithë programi i festivalit do të organizohet në hapësirat e Kurshumli Han-it në Çarshinë e Shkupit, në ambient të hapur të shtyrë edhe për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia.

“Programi i sivjetshëm është i selektuar me një larmi dramaturgjike që ka për bazë në thelb fatin e njeriut karshi stuhive të ndryshme nga jeta. Si dhe sfidat e ndryshme nga jeta sociale, ekonomike e politike, ku  vjen në pah mendimi kritik i njeriut të thjeshtë karshi fenomeneve të reja”, thuhet në njoftimin për media.

Krahas shfaqjes ‘Kutia e Zezë’, në program janë përfshirë edhe “Anomalia gramatikore ” nga Frania Petrinovich , që do të vihet në skenë Teatri Kombëtar nga Novi Sad,  Serbi “E gjithë dashuria ime” nga Laurent Mauvignier ,Teatri i Luftës në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë, “Zgjimi i Pranverës” nga Frank Wedekind  që do të vihet në skenë nga Teatri Kombëtar i Kosovës si dhe nga Bullgaria vjen  shfaqja “Pula” nga A. P. Chehov dhe Niloay Kolyada, Spam Studios Sofje.

Në njoftim thuhet se FNT Skupifestival ka edhe karakter garues,  ku juria e përzgjedhur  vendos për shfaqjen më të mirë të festivalit. Juria e edicionit të sivjetëm të këtij festivali përbëhet nga aktorja Amernis Nokshiqi, gazetarja për kulturë Evis Halili,si dhe regjisorja Natasha Popllavska./ KultPlus.com

Të ngjajshme