Smajli i lumtur për shfaqjen “The European Show”: Një eksperiencë e jashtëzakonshme

17 Tetor, 2023 - 8:00 pm

Uranik Emini

Shfaqja “The Best European Show” pati premierën e saj në Poloni më 13 Tetor, në qytetin Opole, ku njihet edhe si qyteti revolucionar i fundit i teatrit, Jerzy Grotowki, shkruan KultPlus.

Në këtë produksion Teatri Kombëtar i Kosovës është i përfshirë si ko-produksion së bashku me Teatro Due – Parma, Teatri Kombëtar Slloven – Nova Gorica, Teatr Opole dhe Teatru Malta.

Aktori nga Kosova, Armend Smajli tha për KultPlus se kjo ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për të.

“Eksperiencë e jashtëzakonshme. Koproduksion i madhe dhe i rrallë. Nuk është lehtë të mblidhen me shumë se një muaj artistë nga 9 shtete dhe të krijojnë një shfaqje. Unë jam jashtëzakonisht i lumtur për gjithë këtë rrugëtim dhe me rezultatin e shfaqjes sonë”, thotë ai.

Shfaqja në fjalë, trajton problemet me të cilat sot ballafaqohet Evropa përmes një jurie teatrore e cila mblidhet të zgjedh shfaqjen më të mirë evropiane.

Smajli gjithashtu tregon se ky është njëri ndër rolet më komplekse që ka luajtur.

“Ky është një ndër rolet më komplekse që kam luajtur dhe jam i lumtur me punën. I lumtur që pata rastin të ndaj skenën me gjithë ata artistë nga shumë vende dhe teatre prestigjioze”, shprehet ai.

Ndërkaq, aktorja tjetër nga Kosova, poashtu pjesëmarrëse në këtë shfaqje, Maylinda Kosumovic, shfaqi dashuri të madhe për gjithë ekipin përmes rrjeteve sociale.

“Shumë dashuri për këtë grup njerëzish të jashtëzakonshëm. Tash koha të shkojmë në Itali”, shkroi ajo.

Aktorët e tjerë të cilët marrin pjesë në këtë shfaqje janë: Davide Gagliardini, Ana Facchini, Gianni Selvaggi, Philip Leone Ganado, Felix Römer, Weronika Kozakowska, Blazej Stencel, Ibrahim Koma dhe Paola de Crescenzo.

Shfaqja do ta ketë premierën edhe në Kosovë vitin tjetër, mirëpo fillimisht do të udhëtojë në Itali, Maltë, Slloveni dhe më 25 Prill do të jetë edhe në Kosovë.

📅Opole – Poloni: 13 tetor 2023
📅Parma – Itali: 21 tetor 2023
📅Valeta – Maltë: 9 shkurt 2024
📅Nova Gorica – Slloveni: 16 prill 2024
📅Prishtinë – Kosovë: 25 prill 2024 /KultPlus.com

Të ngjajshme